Prindërit ankohen: E-Kosova nuk po hapet për aplikimin e librave
Të premten, Ministria e Arsimit, e Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) njoftoi hapjen e aplikimeve për subvencionimin e materialeve shkollore për vitin shkollor 2025/2026, përmes platformës shtetërore e-Kosova.
Sipas njoftimit zyrtar, prindërit nga data 15 gusht kanë mundësi të aplikojnë për subvencione, që do të ndahen si vijon:
- 80 € për nxënësit nga klasa I deri në klasën V, për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore;
- 80 € për nxënësit nga klasa VI deri në klasën IX, për blerjen e fletoreve të punës dhe materialeve mësimore.
MASHTI theksoi se tekstet për klasat VI-IX do të riciklohen nga gjenerata e kaluar, sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 13/2016 – praktikë e zbatuar edhe vitin e kaluar.
Megjithatë, prindërit kanë raportuar tek redaksia jonë se nuk po arrijnë të kryejnë aplikimin, pasi platforma e-Kosova nuk po hapet ose po bllokohet gjatë procesit të aplikimit. “Po tentoj që nga mëngjesi të futem, por faqja nuk hapet fare”, ka thënë një prind për Kujdestari.info. Një tjetër prind është ankuar se sistemi bllokohet sapo të përpiqet të hyjë te opsioni i subvencioneve.
Kujdestari.info ka marr shumë ankesa edhe lidhur me shumen e alokuar nga ana e MASHT, duke thënë se 80 euro nuk mjaftojnë.
Procesi i këtij viti është konsideruar si më i lehtë nga MASHTI, pasi llogaritë bankare të regjistruara më parë të prindërve mbeten aktive. Por, për shumë aplikues, kjo lehtësi po mbetet vetëm në letër, përderisa qasja në platformë po rezulton e pamundur. /Kujdestari.info/