Prizren: Aksident i rëndë trafiku- motoçiklisti përfundon në QKUK, ndalohet drejtuesi i kamionit
Një aksident i rëndë trafiku është raportuar dje në rrugën Prizren–Arbanas, ku një motoçiklist ka pësuar lëndime serioze si pasojë e një përplasjeje me një kamion në zonën afër fshatit Serbicë.
Sipas informacioneve të siguruara nga Gazeta Sinjali, rasti ka ndodhur më 16 korrik 2025, rreth orës 14:15, kur i dyshuari B.T., rreth 50-vjeçar, duke drejtuar një kamion me targa 04-232-LH, ka nisur një tejkalim të pasigurt të një motoçiklete të llojit Zahara.
Aksidenti ndodhi në momentin kur drejtuesi i motoçikletës Sh.B., rreth 64-vjeçar tentoi të kthehej majtas në një rrugë dytësore, me ç’rast kamioni e goditi në pjesën e përparme.
Nga përplasja, motoçikleta ka përfunduar nën kamion dhe është tërhequr zvarrë për disa metra deri në ndaljen e mjetit jashtë rrugës.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i motoçikletës ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe fillimisht është dërguar në Spitalin e Prizrenit, për t’u transferuar më pas në QKUK në Prishtinë për shkak të natyrës së lëndimeve. Mjekët kanë konfirmuar se për momentin gjendja e tij është stabile.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit në qendrën e mbajtjes në Polici, ndërsa rasti është iniciuar si “Aksident trafiku me lëndime të rënda trupore”.
Hetimet janë në vazhdim.