25-11-2024

Prizren: Aksion kundër drogës, arrestohet pronari i një lokali masazhi

Një aksion nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë i zhvilluar të hënën në Prizren ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për shitblerje të drogës dhe sekuestrimin e disa qeseve me kokainë. Gjatë aksionit janë zhvilluar bastisje në disa lokacione, ku janë gjetur edhe prova të tjera në lidhje me rastin. I dyshuari që u kap nga Policia është pronar i një lokali në këtë qytet, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se personi i arrestuar për këtë rast është Y.K, 35-vjeçar, pronar i një lokali masazhi, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Siç mëson Sinjali, aksioni ka nisur në orët e mbrëmjes, kur Policia fillimisht arriti ta ndalojë të dyshuarin, teksa po lëvizte me veturën e tij, pasi dyshohej se bënte shitjen dhe shpërndarjen e substancave narkotike.

Operacioni vazhdoi me bastisje, ku me urdhëresë të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake është kryer kontroll në banesën e të dyshuarit në rrugën “Enver Hadri” në Prizren, ku janë gjetur dy qese me kokainë, telefona e peshore për matjen e drogës. Provat e gjetura janë sekuestruar, ndërsa Njësia e Antidrogës ka vazhduar me aksionin në lokalin e të dyshuarit dhe në një lokacion tjetër.

Pas përfundimit të aksionit që zgjati disa orë, Policia ka shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, i cili është mbrojtur në heshtje. Me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe do të hetohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Kushdo që pa autorizim blen ose posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofron për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotrope apo substanca analoge, dënohet me gjobë dhe me burgim prej dy (2) deri në tetë (8) vjet.”

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.