Prizren: Aksion për fajde, ndalohen dy persona
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, pas një pune hetimore, me urdhër të saj dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës – Sektorin e Hetimeve Rajonale në Prizren, të mbështetur edhe nga njësitë dhe stacionet tjera policore në Prizren dhe Prishtinë, ka ndaluar dy persona nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Fajdeja”, “Detyrimi”, “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” dhe “Fajdeja në ndihmë”.
Sipas prokurorisë, të pandehurit gjatë aplikimit të masave të fshehta të vëzhgimit dhe hetimit, janë arrestuar në flagrancë.
Përmes një komunikate për medie njoftohet se se aksioni në fjalë u zhvillua në tri lokacione të ndryshme,
“Të njëjtit, dyshohen se kanë vepruar me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete duke kontraktuar shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), viktimën e fajdesë nga i cili shfrytëzojnë gjendjen tejet të rënduar financiare, papërvojën e tij dhe të njëjtit i ofrojnë një shumë të të hollave në formë të borxhit, të cilin më pas e ngarkojnë me kamata të larta dhe të papërballueshme”, thuhet në njoftim.
Prokuroria tutje thotë se i njëjti shkon në shtëpinë e të dëmtuarit, fillon të bërtasë dhe ta shajë të dëmtuarin, më pas ia përplasë telefonin për toke dhe e godet me grushte në pjesën e djathtë ballore dhe gjithashtu me mjet të fortë e godet në kokë, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Me këtë, të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprat penale “Fajdeja” nga neni 331, paragrafi 1, “Detyrimi” nga neni 328, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 321, paragrafi 1 dhe vepra penale “Fajdeja në ndihmë” nga neni 331, paragrafi 1 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK, nr. 06/L-074).
“Me aktvendim të prokurorit, të pandehurit janë ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtëve”, thuhet në fund të komunikatës. /GazetaePrizrenit.net