

Derisa me datë 07.03.2025 rreth orës 21:30, i pandehuri N.I., në bashkëveprim me të pandehurit E.M., dhe H.H., pa autorizim shesin, transportojnë, dorëzojnë dhe dërgojnë në transit substanca apo preparate, të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë në atë mënyrë që pasi pandehuri N.I., pajtohet paraprakisht përmes telefonit me blerësit e tij, takohet me të njëjtit në afërsi të fshatit Landovicë dhe pasi vërteton se blerësit i kishin paratë për blerjen e substancës narkotike, të cilat para i numëron edhe personalisht dhe menjëherë e merr në telefon të pandehurin H.H., me ç’rast ky i fundit duke qenë i shoqëruar edhe nga i pandehuri E.M., pas pak minutash afrohen me veturën e tyre në vendin ku ishte i pandehuri N.I., duke negociuar me blerësit për shitblerjen e substancës narkotike, me ç’rast dalin nga vetura dhe së bashku nxjerrin një qese me ngjyrë të kaltër brenda së cilës ishin 11 (njëmbëdhjetë) foli alumini me substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 10,510.36 gram (Dhjetë kilogram e pesëqind e dhjetë gram e tridhjetë e gjashtë miligram) në vlerë prej 25,000.00 Euro (Njëzet e pesëmijë euro) dhe duke qenë se të njëjtit ishin nën aplikimin e masave të veçanta hetimore, arrestohen në flagrancë nga forcat e Policisë së Kosovës, përveç të pandehurit H.H., i cili ka arritur të arratiset, mirëpo megjithatë arrestohet disa ditë më vonë, derisa pas bastisjes së shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të të pandehurit N.I., policia ka arritur të gjejë dhe sekuestrojë edhe një sasi të substancës narkotike të llojit marihuanë në peshë të përgjithshme prej 1,218.00 gram (një kilogram e dyqind e tetëmbëdhjetë gram).
Nga informacionet njoftohet se fjala është për: Nderim Idrizin, rreth 40-vjeçar, Hasan Hajdarin dhe Etnik Merturin, rreth 25-vjeçar.
Gjithashtu të njëjtit i janë sekuestruar edhe dy peshore të cilat shërbejnë për matjen – peshimin e substancave narkotike, të cilat destinohen për shitje si dhe një shumë parash prej 3,965.00 Euro (Tremijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e pesë euro), të cilat para janë dobi pasurore e fituar nga kryerja e veprës penale, me ç’rast të njëjtit në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Blerja posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” të KPRK-së.
Përveç tjerash, pas arrestimit të të pandehurit N.I., në vendngjarje policia arrin të sekuestrojë nga i njëjti një pistoletë të kalibrit 7.62 mm M57 së bashku me një karikator me tetë (8) fishekë brenda tij, ku pas zbatimit të urdhër kontrollit në shtëpinë e tij, gjithashtu janë gjetur dhe sekuestruar edhe katër (4) fishekë të pistoletës dhe pajisje për pastrimin e armës, me ç’rast duke vepruar kështu, i njejti ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” të KPRK-së.

Prokurori i shtetit, me ngritjen e aktakuzës ka propozuar që të bëhet konfiskimi i mjeteve dhe sendeve të cilat kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe të cilat janë dobi pasurore e fituar me vepër penale, për të cilat është lëshuar Urdhër Ndalues Përfundimtar nga Gjykata, dhe atë:
Substancë narkotike të llojit marihuanë;
Një (1) pistolete kalibrit 7.62 mmM57 me një karikator me 8 fishekë;
Katër (4) fishekë të pistoletës;
Pajisje për pastrimin e armës;
Foli plastike;
Një (1) peshore;
3.965 euro (Tre mijë e nëndëqind e gjashtëdhjetë e pesë euro);
Një (1) veturë e markës “Audi”;
Një (1) veturë e markës VW “Bora”;
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.