23-11-2024

Prizren, aktakuzë ndaj 5 të dyshuarve për tentim vrasje të rëndë

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj  pesë personave, të cilët dyshohen për disa vepra të rënda penale.

Personat me inicialet K.S., D.S., M.B., S.K., dhe E.E., ngarkohen me veprat penale: vrasje e rëndë e mbetur në tentativë, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve, vrasje e rëndë në ndihmë e mbetur në tentativë, si dhe moslajmërimi i veprave penale apo i kryerësve.

Sipas aktakuzës, më 19 shtator 2018 rreth orës 22:20 minuta, në Prizren, në lagjen “Kurillë” i akuzuari K.S., duke qenë në shoqëri me të pandehurit e tjerë D.S., M.B., S.K. dhe E.E., tenton të privojë nga jeta personat e tjerë, gjegjësisht të dëmtuarit M.B., M.B. dhe Q.G., në atë mënyrë që në natën kritike me automjetin “Opel Vectra”, të cilin ka qenë duke e drejtuar i akuzuari D.S., kur mbërrijnë në rrugën “Agim Shala”, pasi që e vërejnë se në drejtim të tyre është duke ardhur automjeti i markës “Audi”, duke manovruar me automjet u dalin përpara të dëmtuarve dhe i detyrojnë të ngadalësojnë automjetin, dhe në këtë mënyrë dalin nga automjeti dhe me pushkën e tipit “Kllashnikov”, i akuzuari K.S., gjuan në drejtim të automjetit të të dëmtuarve, me ç’rast një predhë e godet frigoriferin dhe xhamat e vitrinës së një lokali në afërsi të vendit të ngjarjes.

Të dëmtuarit nga frika, me automjetin e tyre, me shpejtësi largohen nga vendi i ngjarjes. Në këtë mënyrë i akuzuari K.S. ka kryer veprat penale – vrasje e rëndë e mbetur në tentativë, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve.

Ndërkaq, i akuzuari D.S. akuzohet për veprën penale – vrasje e rëndë në ndihmë e mbetur në tentativë. Kurse, të akuzuarit M.B., S.K. dhe E.E., akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – moslajmërimi i veprave penale apo i kryerësve. Të pandehurit K.S. dhe D.S. gjenden në paraburgim.

Prokurori i rastit ka ngritur së aktakuzë, duke i propozuar Gjykatës që të vazhdohet kjo masë dhe që të konfiskohet pushka automatike e tipit “Kallashnikov” dhe të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë.

 

Asnjë koment

Comments are closed.