23-07-2025

Prizren: Aktakuzë ndaj autorit të vrasjes së irakianit në Vërmicë

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Muhamed Alashban, i cili gjendet nën masën e paraburgimit që nga data 15 tetor të vitit të kaluar, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprat penale “vrasja e rëndë” dhe “mbajtja në pronësi, kontrolle ose posedim të paautorizuar të armëve”.

 

Sipas aktakuzës, i pandehuri Muhamed Alashban, më 17 dhe 18 qershor të vitit 2022, në kohë të pacaktuar, në rrugët malore në afërsi të fshatit Vërmicë të Prizrenit, pas një mosmarrëveshje paraprake  në mes të grupit të tij dhe atij të të ndjerit J.H., shtetas irakian lidhur me kontrabandimin e migrantëve sirian në territorin e Kosovës duke vepruar i armatosur me dashje, privon nga jeta të ndjerin J.H. duke shtënë me armë pistoletë të kalibrit 7.65×17 mm, në drejtim të të ndjerit.

Sipas konkluzionit të autopsisë MA-22-193, të Dr.Naim Halitit, vdekja e të ndjerit ishte e dhunshme dhe ka ardhur si rrjedhojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme si pasojë e rupturës së mushkërisë së majtë të shkaktuar nga predha e armës.

Në njoftim bëhet e ditur se me këtë rast gjatë të shtënave me armë ka vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë migrantë te cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin në bjeshkët e fshatit Vërmicë, e gjithë kjo me qëllim të eliminimit të grupit të të ndjerit dhe përfitimit të dobisë pasurore lidhur me kontrabandimin e migrantëve, ku pas ekzaminimit të telefonit të akuzuarit janë gjetur fotografi, video-incizime të vrasjes të të ndjerit në vendin e ngjarjes si dhe nga transkriptimi i bisedave të zhvilluara në rrjetin social “Whats app” në bazë të komunikimit me personin e tretë N.N., e pranon se e ka vrarë njërin nga grupi i kurdëve. Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale “vrasja e rëndë”.

Më tej në komunikatë thuhet se i njëjti ka poseduar pa leje valide armën – pistoletë të kalibrit 7.65×17 mm,, me të cilën ka privuar nga jeta të ndjerin J.H., gjë që shihej nga gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

 

Asnjë koment

Comments are closed.