Prizren: Aktakuzë ndaj inspektorit komunal të ndërtimit dhe një ndërtuesi
Prokuroria Themelore PTH në Prizren ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.K., në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit në Prizren, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe ndaj të pandehurit A.K., për veprën penale “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave” .
Përmes një komunikate për media, thuhet se sipas aktakuzës, i akuzuari B.K., në periudhën kohore prej muajit maj të vitit 2016 deri në dhjetor të vitit 2018 në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, ashtu që shkel “Ligjin mbi ndërtimin 2004/2015” duke mos kryer rrënimin e objektit pa leje ndërtimi, përkatësisht objektin banesor të investitorit A.K., në rrugën “Tirana” në Prizren, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin përkatësisht investitorin A.K., i akuzuari nuk ndërmerr masa të duhura në kuadër të kompetencave të tij për mos lejimin e ndërtimit dykatësh të objektit i cili nuk kishte leje ndërtimi.
Sipas Prokurorisë, i akuzuari B.K, me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa, i akuzuari A.K., me datë 28.08.2017 në kohë të pacaktuar heq ose dëmton vulën zyrtare apo shenjën e ngjitur nga zyrtari i autorizuar, me qëllim të sigurimit të objektit.
“Pas vendosjes së shiritave nga inspektorët komunalë të ndërtimit në Prizren, sipas procesverbalit të Drejtorit të inspektoriateve 0003569 e datës 31.05.2018, i akuzuari A.K., nuk i përfill vërejtjet e dhëna mbi ndalimin e punimeve në objektin e ndërtimit dhe vendosjen e shiritave, ashtu që i heq shiritat e vendosur duke dëmtuar vulat zyrtare. Me këtë ka kryer veprën penale ‘Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave’”, njoftoi PTH.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë./GazetaePrizrenit.net