26-11-2024

Prizren: Aktakuzë ndaj një burri për narkotikë dhe një gruaje për ndihmë në shitblerjen e tyre

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit D.G., i cili ngarkohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” si dhe ndaj të pandehurës A.M., e cila ngarkohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

Sipas raportit i pandehuri D.G., pasi siguroi narkotikun, tentoi t’i ikte policisë me veturën që po e drejtonte e pandehura A.M.

“I pandehuri D.G., me datë 04.05.2023 rreth orës 17:30min në lagjen Arbana të Prizrenit, në hyrje – dalje të autostradës Prizren – veri, pa autorizim dhe me qëllim të shpërndarjes dhe shitjes, posedon substanca të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë dhe atë të llojit “marihuanë”, mirëpo të njëjtat nuk arrin t’i shesë pasi që ndërhynë policia, në atë mënyrë që i pandehuri pasi siguron narkotikun në një vend të panjohur afër qytetit të Pejës, me veturën e tij personale “BMW” të cilën po e drejtonte e pandehura A.M., sapo arrijnë afër pompës së derivateve, ndalen nga patrulla policore, mirëpo gjatë parkimit drejtuesja e automjetit niset me vrull duke vazhduar në drejtim të lagjes “Arbana” me shpejtësi të madhe, edhe pse e ndjekur pas nga patrulla policore, e njëjta kryen vozitje të rrezikshme ku gjatë kyçjes në rrugën “Skender Latifi” godet ulëset së bashku me tavolinat e një lokali që ndodhej aty, dhe më pas vazhdon deri në kryqëzimin e rrugës “Ismail Qemali” ku vetura pëson dëme duke i plasur goma e parë djathtas”, thuhet në njoftim.

Pasi u kap nga Policia, të dyshuarit iu gjet substancë narkotike mbi 2 kilogramë, e llojit kanabis-marihuanë.

Ndërsa, thuhet se e pandehura A.M., në datë, kohë dhe vend të njëjtë, me dashje e ndihmon të pandehurin D.G., në shmangien e zbulimit dhe arrestimit, duke ndërmarrë veprime për pengimin e arrestimit të tij.

Po ashtu, lidhur me rastin, si mjete të kryerjes së veprë penale, thuhet se janë konfiskuar: Vetura e tipit BMW, pronë e të pandehurit D.G., një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 1093.23 gram; një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 1087.51 gram; një thes ngjyrë kafe; një sprej me ngjyrë të zezë dhe dy grinder- mulli.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, përfundon njoftimi.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.