23-11-2024

Prizren: Aktakuzë ndaj një zyrtareje të MMPH-së për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Prokuroria Themelore në Prizren (PPTH), ka ngritur aktakuzë kundër H.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, raporton Gazeta e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, e pandehura H.K., gjatë vitit 2018 në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat e saj zyrtare, me qëllim që t’i shkaktoj dëm Komunës së Prizrenit, në atë mënyrë që në cilësinë e zyrtares ligjore pranë Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë,  me datë 29.03.2018 merr vendim me të cilin shfuqizon aktvendimin e datës 21.03.2018 të Drejtorisë për Inspekcion të Ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit.

Në kumtesë, thuhet se e pandehura H.K., gjatë vendosjes në shkallë të dytë me ankesë të palës nga Drejtoria e Inspekcionit dhe Urbanizmit të Komunës së Prizrenit, nuk kërkon shkresat dhe dokumentacionin e vendosjes në shkallë të parë lidhur me mosdhënie të lejes për ndërtim qytetarit L.M., me ç’rast  kishte për të ardhur në përfundim  se  në çështjen konkrete nuk ka pasur heshtje administrative rreth kërkesës për leje-ndërtim siç pretendon L.M., në padinë e kompensimit të dëmit lidhur me rrënimin e objektit pasi Komuna e Prizrenit -Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor me datë 30.08.2017 ka hudhur kërkesën për leje ndërtimore.

“Kështu që, e pandehura me marrjen e një vendimi në shkallë të dytë e aprovon ankesën e L.M., dhe e kthen çështjen në rishqyrtim duke u bazuar vetëm në shkresat e palës e cila ka parashtruar ankesë, dhe kështu i mundëson L.M., në kontestin civil të kërkojë kompensimin e dëmit në shumë prej 70.000 euro për rrënim të objektit duke dëmtuar për këtë shumë Komunën e Prizrenit. Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura H.K., ka përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së”, thuhet në kumtesë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që e pandehura të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë. /GazetaePrizrenit.net /

 

Asnjë koment

Comments are closed.