Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: K.Th., A.K., dhe J.B., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Posedimi i paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), raporton Gazeta e Prizrenit.
I pandehuri A.K., me datë 31.03.2024, rreth orës 13:05 minuta, në Prizren, pa autorizim ka shpërndarë substancë narkotike të llojit marihuanë, në atë mënyrë që takohet me të pandehurin J.B., në rrugën “Ibrahim Rugova” ku të njëjtit i jep në këmbim të 240 qeseve plastike që shërbejnë për paketimin e substancës narkotike, një dozë të substancës narkotike të llojit marihuanë në peshë prej 0.27 gram. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas KPRK-së.
Ndërsa, i pandehuri J.B., me datë 31.03.2024, rreth orës 13:05 minuta, në Prizren, pa autorizim ka poseduar substancë narkotike të llojit marihuanë, peshë prej 0.27 gram, të cilën substancë narkotike e kishte marrë nga i pandehuri A.K., në këmbim të 240 qeseve plastike. Më këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit./Gazeta e Prizrenit.
Lexo edhe:
Gropat në rrugën e transitit për autostradë që maltretuan prizrenasit për disa muaj