27-11-2024

Prizren: Aktakuzë pasi plagosi viktimën pas fjalosjes lidhur me kolonën në trafik

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit L.V., nën dyshimin se tentoi ta privojë nga jeta viktimën B.G, pas fjalosjes për shkaktimin e kolonës në trafik.

Përmes një komunikate për medie, thuhet se i njëjti gjendet në paraburgim nga 10 janari.

Sipas aktakuzës, më 10 janar 2022, rreth orës 14:40, në rrugën ‘’Xhemil Fluku’’ në Prizren, i akuzuari L.V., tenton ta privojë nga jeta viktimën B.G., nga Prizreni, në atë mënyrë që derisa viktima ishte në automjetin e tij së bashku me bashkëshorten dhe vajzën e tij të mitur, ku si rezultat i ngarkesës së trafikut rrugor ishte krijuar kolonë e veturave, ashtu që para automjetit të viktimës ishte duke qëndruar i pandehuri me automjetin e tij të markës ‘’Audi’’, i cili e kishte ndalur automjetin duke biseduar me një kalimtar rasti, kështu duke shkaktuar kolonë të panevojshme në trafik.

Me këtë rast, thuhet se viktima pasi që ishte i rreshtuar pas veturës së të pandehurit i bie borisë disa herë për ta sinjalizuar të pandehurin që të lëvizë dhe ta lirojë rrugën dhe në atë moment i pandehuri del nga automjeti, i afrohet viktimës dhe fillon të fjaloset me të.

Në aktakutë thuhet se më pas policia ka arritur në vendin e ngjarjes, me ç’rast edhe e arrestojnë të pandehurin, ndërsa viktima si rezultat i armës së zjarrit ka pësuar lëndime trupore në kokë dhe në këmbën e tij të majtë të vërtetuara sipas raporteve mjekësore.

Me këto veprime, i pandehuri i lartëcekur ngarkohet për veprën penale “Vrasja në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftim.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.