Prizren: Aktakuzë për fajde dhe bixhoz ndaj një personi
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj F.Sh. për fajde dhe organizim të bixhozit. I pandehuri ndodhet në paraburgim që nga 9 dhjetori i vitit të kaluar.
Sipas aktakuzës, që nga shtatori i vitit 2023 e në vazhdimësi, F.Sh. ka marrë dhe kontraktuar shuma të jashtëzakonshme të pasurisë në këmbim të shërbimeve, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës.
Kur viktima nuk ishte në gjendje të kthente borxhin prej 70,000 eurosh dhe kishte vështirësi në pagesë, i pandehuri e kishte bindur që të angazhohej në emrin e tij për sigurimin e mjeteve, duke krijuar kushte për kthimin e borxhit.
F. Sh. i kishte dhënë viktimës disa herë para me kamatë të lartë: fillimisht 10,000 euro me kamatë 15%, më pas 5,000 euro për të cilat viktima pagoi 3,000 euro kamatë në gjashtë javë, më tej 10,000 euro me 15% kamatë dhe 2,000 euro me 20% kamatë. Në gusht 2024, ai u kap në flagrancë nga Policia duke i marrë viktimës 5,000 euro.
Sipas aktakuzës, viktima ka paguar 14,600 euro interes, por ende detyrohet për 21,400 euro kamatë. Po ashtu, F.Sh. është përfshirë në organizimin e bixhozit, duke mundësuar që dëmtuari A.Z. të luajë dhe të hyjë në borxh prej 70,000 eurosh, pasi paraprakisht i dha 20,000 euro për t’u futur në lojë.
Prokurori ka kërkuar nga gjykata që, pas shqyrtimit dhe vlerësimit të provave, F.Sh. të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.