02-12-2025

Prizren: Aktakuzë ndaj nëntë personave për laboratorin e drogës

Prokuroria Themelore në Prizren ngriti aktakuzë ndaj nëntë personave lidhur me rastin e zbulimit të laboratorit të drogës në një banesë në Prizren më 23 prill, përcjell Gazeta e Prizrenit.

Referuar aktakuzës, të pandehurit me inicialet: K.R., L.B., D.M., E.M., F.H., Sh.K., M.S., dhe A.S., nga një periudhë e pacaktuar kohore deri më 23.04.2025, kanë vepruar së bashku si anëtarë të grupit, duke shfrytëzuar dy banesa në lagjen “Dardania” në Prizren, në katin e VII-të, dhe kanë krijuar një laborator të sofistikuar “in door” për kultivimin e bimës “kanabis sativa”. Laboratori ishte i pajisur me llamba profesionale, sisteme ventilimi, pesticide, matës temperaturash dhe pajisje mbështetëse, ku të njëjtit kanë kultivuar dhe rritur 175 bimë “kanabis sativa”. Me këto veprime, të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.

Prokuroria e këtij qyteti njofton se të pandehurit D.M., E.M., M.S., dhe A.S., akuzohen se kanë pasur për qëllim shitjen dhe shpërndarjen e lëndës narkotike të përfituar nga kultivimi i kanabisit, përmes tharjes, paketimit dhe përgatitjes për shpërndarje. Me këto veprime të njëjtit kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge”.

“Ndërkohë, të pandehurit K.R., dhe L.B., akuzohen se deri më 07.05.2025 kanë shpërndarë dhe shitur substanca narkotike të llojit “marihuanë” dhe “kokainë” në Prizren, Prishtinë dhe Fushë Kosovë. Gjatë bastisjeve është sekuestruar një sasi totale prej 451.91 gram kokainë, para të gatshme dhe pajisje tjera që shërbejnë për ndarjen dhe peshimin e lëndëve narkotike. Po ashtu, i pandehuri K.R., ka kryer shitjen e 2 kg marihuanë në këmbim të një veture “Audi A6”. Me këto veprime të njëjtit kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge” nga neni 267 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, i pandehuri B.M., si pjesë e grupit të organizuar në bashkëkryerje ka ndihmuar në kultivimin e bimës “kanabis sativa”, duke i informuar të pandehurit e lartcekur për lëvizje të dyshimta që mund të çonin në zbulimin e laboratorit nga policia. Me këto veprime, i njëjti ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.

Prokurori i çështjes, me ngritjen e aktakuzës ka propozuar që të bëhet konfiskimi i mjeteve dhe sendeve të cilat kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe të cilat janë dobi pasurore e fituar me vepër penale, ndër të tjera:

Një (1) banesë prej 100 m2 në Prizren;

Një (1) banesë prej 114 m2 në Prizren;

Dy (2) vetura;

Narkotiku i sekuestruar;

Telefona mobil;

Para të gatshme në shumën prej 1,020 € dhe 30 CHF.

Asnjë koment

Comments are closed.