25-11-2024

Prizren: Akuzon një person për posedim e kultivim të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit S.T., i cili ngarkohet për posedim dhe kultivim të narkotikëve si dhe për armëmbajtje pa leje.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo prokurori, ku thuhet se i njëjti gjendet në paraburgim nga 3 tetori 2021 dhe e cila masë është vazhduar dhe do të vazhdojë deri më 3 prill 2022.

Sipas aktakuzës, nga data e pacaktuar e deri më 3 tetor 2021 i akuzuari S.T., në fshatin Gjonaj – Komuna e Prizrenit, pa autorizim, kultivon, shet dhe shpërndan substanca psikotrope, të cilët janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që pas një kontrolli të njëjtit i janë gjetur: Një thes i bardhë letre dhe një thes i zi najloni në peshë prej 2 mijë e 200 gramë me kanabis sativa, një thes i zi najloni me peshë totale 2 mijë e 100 gramë me trupat e bimës dhe gjethe të kanabis sativa, një thesi i zi najloni me trupa të bimës dhe gjethe të kanabis sativa me peshë 1900 gramë, substanca psikotrope të llojit marihuanë me peshë 900 gramë, bimë kanabisë sativa në peshë totale 3 mijë gramë, 12)bimë kanabis sativa, 5 bimë kanabis sativa me gjatësi 0.80cm, 1.50 m, 1.25 m, 1.20 m dhe 1.45 m, si dhe tre bimë kanabis sativa me gjatësi 1.00 m, 1.20 m dhe 2.00 m.

Me këto veprime, S.T., ngarkohet se ka kryer veprat penale“Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose të bimëve të kanabisit” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftimin e prokurorisë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç, nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.