23-11-2024

Prizren: Apeli vërteton vendimin e shkallës së parë ndaj Ish-drejtorit të Arsimit dhe dy mësimdhënësve

Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, në lidhje me rastin ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Komunën e Prizrenit, Nexhat Çoçaj, dhe dy mësimdhënësve, Bekim Thaqi dhe Bedri Çeku, të cilët në korrik të vitit të kaluar u shpallën të pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prizren.

Gjetjet e Gjykatës së Apelit, lidhur me pretendimin e Prokurorisë për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, duke pretenduar se aktgjykimi i ankimuar është i pakuptueshëm dhe në kundërshtim me provat e administruara, një pretendim të tillë nuk e gjen të bazuar, për faktin se dispozitivi i aktgjykimit është i kuptueshëm dhe i qartë, me të gjitha pikat e aktgjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa sa i përket, pretendimit të Prokurorisë se gjykata arsyet i ka dhënë në kundërshtim me provat, përveç theksimit të tillë nuk specifikohet saktësisht se cilat janë ato prova në kundërshtim me arsyet e dhëna.

Ndërsa  sa i përket pretendimit të Prokurorisë se lidhur me ekspertizën e ekspertit financiar Agim Kastratit, nga e cila ekspertizë ka rezultuar se ndërmjet viteve 2010 – 2012 , është bërë tejkalimi i shumës nga konkluzionet si dhe ka shpenzime të pambuluara në shumën prej 1.421 euro, si dhe janë bërë furnizime nga firma e të akuzuarit Nexhat në shumë prej 822 euro, për këto aspekte, rezulton se gjykata e shkallës së parë zgjidhjet i ka zbatuar edhe në vërejtjet e dhëna nga vendimi paraprak i Gjykatës së Apelit, kur ka urdhëruar shtojcë të super ekspertizës, e që siç rezulton nga procesverbali që kanë deklaruar ekspertët në shqyrtimin gjyqësor “demin e buxhetit komunal nuk kanë mundur ta përcaktojnë”.

Sipas Apelit, ekspertët nuk kanë qenë në gjendje që të përcaktojnë në të vërtetë se çfarë dëmi kishin pësuar organet komunale – si institucione që kishin alokuar mjetet për eventin kulturor, për më tepër këta ekspertë, kanë theksuar se ne mund të japim një përgjigje për dëmin e pësuar eventual vetëm po që se e dimë se nga ka ardhur vlera shtesë në llogarinë bankare të të akuzuarit Nexhat , prandaj për Gjykatën e Apelit është e qartë se nga provat e administruara në shqyrtimin gjyqësor nuk është provuar shkaktimi i të dëmit si element i figurës e veprës penale për të cilën ngarkohen të akuzuarit.

Sa i përket pretendimeve të Prokurorisë për vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, që pretendon që pas administrimit të provave, gjykata e shkallës së parë ka nxjerrë përfundimet e gabuara, Apeli ka konstatuar se nga të gjitha  provat theksohet se është vërtetuar gjendja faktike në veçanti nga eksperti financiar Agim Kastrati dhe paneli ekspertëve.

Gjykata e Apelit përmes këtij vendimi ka thënë se e rikujton se subvencionimi i cilitdo projekt, nga paraja publike nuk i nënshtrohet rregullave të prokurimit publik, kjo për shkak se çështjen e subvencionimit e rregullon Ligji i veçantë për ndihmë prandaj, në kontekst të këtyre dispozitave pretendimi i Prokurorisë për të iu nënshtruar prokurimit publik financimi i një aktiviteti kulturor kur mjetet monetare janë dhënë nga Komuna në rastin konkret nga kategoria e subvencioneve nuk gjejnë mbështetje ligjore.

Për sa i përket pretendimit të Prokurorisë se më e rëndësishmja në këtë çështje është ekspertiza , Gjykata e Apelit ka thënë se pikërisht ekspertët, në seancën e shqyrtimit gjyqësor kanë deklaruar se “ Ne nuk mund të përcaktojmë nëse ka dhe çfarë lartësie të dëmit ka në këtë rast, përderisa i akuzuari Nexhat Çoçaj, nuk na tregon se nga ka ardhur si e hyrë në llogarinë e tij bankare, kjo më së miri e vërteton faktin se në të vërtetë siç ka konkluduar Gjykata e shkallës së parë nuk është provuar fajësia e të akuzuarve, ngase vet ekspertiza ka konfirmuar se nuk mund të vërtetohet një ndër elementet qenësore që përbëjnë figurën e kësaj vepre penale, e që është dëmi.

Në fund Gjykata e Apelit ka thënë se pretendimet e Prokurorisë se kemi të bëjmë me vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike i konsideron si të pabazuara. Sa i përket pretendimit të Prokurorisë për shkelje të ligjit penal, ku theksohet se duke marrë vendim me shkelje të dispozitave të procedurës penale dhe duke vërtetuar në mënyrë të gabuar gjendjen faktike, ka rezultuar për pasojë shkelja e ligjit penal, kjo Gjykatë përderisa ka gjetur se pretendimet e mësipërme janë të pabazuara për shkelje të dispozitave të procedurës dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, nuk rezulton as shkelja e ligjit penal.

Andaj Gjykata për arsyet e lartë theksuara se ka vendosur që të vërtetohet vendimi i shkallës së parë,i cili të akuzuaritmi liron nga akuza.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2014, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj Nexhat Çoçajt, Bekim Thaqit dhe Bedri Çekut, të cilët i akuzon se duke qenë drejtorë të manifestimit kulturor “Remzi Ademaj”, kanë keqpërdorur mjetet e ndara për këtë manifestim.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fjalë, me qëllim të përfitimit për vete apo tjetrin, secili në vitin përkatës brenda periudhës 2008-2012, kanë përdorur mjetet e derdhura në xhirollogarinë personale të secilit, për të blerë gjera, me të cilat veprime i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Nexhat Çoçaj, po ashtu akuzohet se duke qenë kryetar i këshillit organizativ, ka bërë furnizime nga firma “Bogdani’ pronar i së cilës është vet ai dhe ka tërhequr para nga xhirollogaria e tij, pa iu ditur destinacioni, duke e tejkaluar buxhetin e lejuar në shumën prej mbi 4000 eurove, pa vendim përkatës të komunës. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.