Prizren: Aprovohet propozimi për raport financiar për dëmet ndaj Infrakos-it nga ish-zyrtarët
Prizren: Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën, është aprovuar propozimi i Prokurorit, Genc Nixha për nxjerrjen e raportit financiar lidhur me dëmet e shkaktuara ndaj Infrakos-it nga veprimet e të akuzuarve.
Për këtë rast të korrupsionit po akuzohen ish-Kryeshefi ekzekutiv i Infrakos-it, Agron Thaçi, tre ish-drejtorët e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Sadik Paqarizi, Nijazi Kryeziu e Visar Islamaj, ish-drejtori i Inspektorateve në Prizren, Bujar Nerjovaj, ish-inspektori i ndërtimit, Bashkim Krasniqi, si dhe menaxheri dhe bashkëpunëtori profesional të “Infrakos”-it, në Prizren, Naim Avdyli, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht në seancën e sotme Prokurori, Genc Nixha, deklaroi se nga konstatimi i seancës së djeshme nuk duhet të qëndron se është kërkuar ekspertizë financiare por se është kërkuar nxjerrjen e raportit lidhur me dëmin e shkaktuar, gjë që për këtë mbrojtja dhanë vërejtjet e tyre se pse ky raport nuk duhet nxjerrur.
Kryetarja e trupi gjykues, Teuta Krusha aprovoi propozimin e Prokurorit për nxjerrjen e raportit financiar për dëmin e shkaktuar ndaj Infrakos-it e që për këtë ka obliguar Infrakos-in që në një afat optimal të caktoj vlerësimin e dëmit të shkaktuar nga veprimet e të akuzuarve duke precizuar për secilin të akuzuar llojin dhe lartësinë e dëmit të shkaktuar.
Tutje seanca gjyqësore është vazhduar me leximin e shkresave të tjera të propozuara nga ana e mbrojtjes në mesin e tyre konkluzioni i lëshuar nga Visar Islamaj me nr.04-353-120729 i datës 01.11.2016, leja urbanistike e datës 28.02.2013, ajo e datës 10.01.2013.
Tutje është lexuar aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë me nr. A.nr.1550/16 i dt. 12.09.17, aktgjykimi i Gjykatës Supreme të Kosovës me nr. AML.nr.2/17 e dt. 22.08.2017, është lexuar po ashtu edhe kërkesa e Agron Thaqit si shef ekzekutiv i Infrakosit për e dt.04.04.2018 ku i është drejtuar Drejtorisë për Urbanizëm për ndalje të punimeve në afërsi të binarëve dhe pronës së Infrakosit.
Po ashtu si provë është administruar edhe Plani Zhvillimor Urban i vitit 2004 për Qytetin e Prizrenit me nr.01/011-47 i datës 16.09.2004, propozimi për ndërprerjen e punimeve në pronën e Infrakosit mbi binarë dhe afër hekurudhës, lirimi e pronës së Infrakosit të datës 23.12.2015, kallëzimet penale të bëra me datën 04.04.2017 si dhe paditë e bëra për lirimin e pronës dhe shpërblimin e dëmit të datës 14.03.2018.
Po ashtu në shqyrtim gjyqësor janë administruar edhe shumë prova të tjera të propozuara nga ana e mbrojtësve të të akuzuarve e po ashtu mbrojtësi i të akuzuarit Nijazi Kryeziu, avokat Kadri Mjekiqi propozoi që si provë të nxjerret edhe Plani Rregullues Urban me nr.01/011-2352 i datës 29.02.2012 për kuadratet E5.6, E5.9 dhe F5.2.
Për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme është ndërprerë dhe e njëjta do të vazhdojë më 01 dhe 22 prill 2022 nga ora 10:00.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Sadik Paqarizit, Nijazi Kryeziut, Visar Islamaj, Bujar Nerjovaj, Bashkim Krasniqit, Agron Thaçit dhe Naim Avdylit, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Sipas aktakuzës, Paqarizi, Kryeziu, Islamaj, Nerjovaj, Krasniqi, Thaqi dhe Avdyli, akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë, kanë tejkaluar kompetencat, nuk i kanë përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, duke i shkaktuar dëm personit tjetër.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Paqarizi, në periudhën kohore 2012-2014, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka lëshuar leje ndërtimi firmës “Breu Petrol”, më 9 gusht 2012, leje ndërtimi për personin Reshat Kamberi, më 25 korrik 2013 dhe leje ndërtimi për personin Xhavit Spahija, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik, i datës 18 tetor 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063, me ç’rast ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme, duke i shkaktuar dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.
Ndërsa, sipas aktakuzës, i akuzuari Kryeziu, në periudhën kohore 2014-2016, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave duke lëshuar leje ndërtimi personit Nexhat Bytyqi, më 30 maj 2014 dhe leje ndërtimi për personin Avni Haliti, më 21 maj 2014, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.
Në aktakuzë thuhet se edhe i akuzuari Islamaj, në periudhën kohore 2016-2017, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave duke lëshuar leje ndërtimi për firmën “Fat Grup”, më 6 mars 2017, po ashtu leje ndërtimi për personin Agron Kuka, më 3 maj 2017, leje ndërtimi për personin Mexhid Karavidaj, më 29 nëntor 2016, si dhe leje ndërtimi për personin Nrec Thaqi, më 8 prill 2017, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.
Me ç’rast, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.
Në aktakuzë thuhet se, i akuzuari Nerjovaj, gjatë vitit 2013, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit për Inspekcion në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave edhe pse ka qenë i njoftuar rreth mbindërtimit dhe uzurpimit në ndërtesën “Liburnia”, me pronar Destan Hoxhën, e cila ka qenë në ndërtim gjatë mandatit të tij, i cili ka pasur leje për ndërtimin e 2+B+P+6, duke u bazuar në Plani Urbanistik i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Nerjovaj, ka lejuar edhe ndërtimin e katit të shtatë edhe përkundër konkluzionit të nënshkruar nga ana e tij, më 8 prill 2014, nuk është dhënë urdhër që i njëjti të zbatohet e që ka qenë kompetencë e tij, si dhe po ashtu ka qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari i ndërtesës-investitori ka bërë mbi pronën e hekurudhave “INFRAKOS” dhe nuk ka ndërmarr asnjë veprim parandalues.
Me këtë, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar dëm “INFRAKOSIT”, në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.
Gjithnjë sipas së njëjtës aktakuzë, i akuzuari Bashkim Krasniqi, gjatë vitit 2012, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave edhe pse ka qenë i caktuar për inspektimin e këtij ndërtimi, ku objekti, ka pasur leje për ndërtimin e 2+B+P+6, dhe gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka lejuar që të bëhet mbindërtimi, pra edhe i katit të shtatë, respektivisht tejkalimi i lejes së ndërtimit, si dhe ka qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari-investitori e ka bërë në pronën e hekurudhave.
Ndërkaq, i akuzuari Thaqi, gjatë vitit 2013, në Fushë Kosovë, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e kryeshefit të “INFRAKOS”, thuhet se nuk i përmbush detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta, nuk ka vepruar sipas Ligjit për Hekurudhat, ku në neni 128, paragrafi 2, parashihet që punët mbrojtëse, përfshirë edhe masat e parandalimit për veprimet e ndaluara-ndërtimet në afërsi të infrastrukturës hekurudhore, duke mos marrë pjesë në diskutimet publike për planin rregullativ urban për Komunën e Prizrenit, ku është marrë edhe Plani Rregullativ Urban i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063, dhe duke vepruar me vonesë në parashtrimin e padive pranë gjykatave kompetente për mbrojtjen e pasurisë së “INFRAKOS”.
Me këtë, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëm në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Avdyli, gjatë vitit 2013, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e menaxherit të patundshmërive dhe bashkëpunëtorit profesional pranë “INFRAKOS” nuk i përmbush detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës, duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta, nuk ka vepruar sipas Ligjit për Hekurudhat, për masat e parandalimit për veprimet e ndaluara-ndërtimet në apo në afërsi të infrastrukturës hekurudhore, dhe duke vepruar me vonesë në parashtrimin e padive pranë gjykatave kompetente për mbrojtjen e pasurisë së “INFRAKOS”.
Me këtë, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëm në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.
Me këtë, të gjithë të akuzuarit po ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.2 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë