Prizren: Arrest shtëpiak për dy të dyshuarit në lidhje me vdekjen e 47-vjeçares në ashensor
Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për B.K. dhe H.K., lidhur me rastin e 20 qershorit 2024, ku një grua 47-vjeçare humbi jetën në Prizren, pasi ra në hapësirën e ashensorit nga kati i dytë.
Ata dyshohen se kanë kryer veprën penale “Asgjësimi, dështimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse” dhe “Rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
“Referuar kërkesës tuaj për informacione, Prokuroria Themelore në Prizren ju njofton se lidhur me rastin, më datë 21.06.2024 me urdhër të prokurorit janë ndaluar për 48 orë, dy (2) persona, B. K., – pronar i personit juridik, dhe H. K., – person përgjegjës i personit juridik, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se kanë kryer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” nga neni 358 paragrafi 6, lidhur me paragrafin 3 dhe me paragrafin 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afatit ligjor ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit. Gjykata Themelore në Prizren, të pandehurve të lartëcekur u ka caktuar masën e arrestit shtëpiak”, thuhet në përgjigjen e Mehmetit.