27-10-2025

Prizren: Arrestimit i prokurorit u bë në vendin e punës

Prokurori i Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, Beqë Shala, është arrestuar gjatë një aksioni të zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të Sistemit Prokurorial, prokurori është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Burime të sigurta të Gazetës Insajderi bëjnë të ditur se prokurori Beqë Shala, nga Prokuroria Themelore në Prizren, është arrestuar të hënën në vendin e punës, pasi është kapur në flagrancë duke marrë ryshfet.

Sipas këtyre burimeve, operacioni është zhvilluar nga Policia e Kosovës, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), pas një hetimi disa-javor që ka përfshirë edhe mbledhjen e provave vizuale dhe audio.


Arrestimi, sipas të njëjtave burime, është realizuar në zyrat e Prokurorisë në Prizren, në momentin kur Shala dyshohet se po pranonte një shumë parash nga një person ndaj të cilit kishte trajtuar një rast penal.

“Prokurori është kapur në flagrancë duke marrë para, pas një hetimi të monitoruar nga organet e rendit. Operacioni është kryer në mënyrë të kontrolluar dhe me urdhër të Prokurorisë Speciale,” tha për Insajderin një zyrtar i përfshirë në rast, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së hetimit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.