Prizren: Arrestohen dy grupe të dyshuara se vodhën mbi 22 mijë euro
Policia në rajonin e Prizrenit ka njoftuar se gjatë vitit 2018, 2019 dhe 2020, në fshatin Lubizhdë dhe Skorobishtë kishin ndodhur një numër i vjedhjeve nëpër shtëpitë e banorëve të kësaj zone.Sipas njoftimit, në çdo vend të ngjarjes hetuesit policorë kishin dyshimet për veprimet kriminale të cilat i kryenin personat dhe hetuesit filluan me gjurmimin e të dyshuarve, duke mbledhur gjurmë dhe elemente për veprime hetimore.
“Për këto ngjarje hetuesit bashkëpunuan me Prokurorin e Shtetit në Prizren dhe filluan me masat e fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit ndaj një grupi të caktuar kriminal. Hetimet fillestare dhanë rezultatet e para dhe fillimisht u arrestuan tre persona të dyshuar B.S, A.A dhe H.B të cilët tani gjenden në burg dhe në pritje të gjykimit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë kohës sa Policia në Prizren po vepronte me masa të fshehta teknike, ka arritur që të identifikojë edhe një grup tjetër, i cili përbëhet nga tre persona të tjerë te cilët janë intervistuar në cilësinë e personave të dyshuar.“Në përgjithësi u zbuluan shtatë raste të vjedhjeve në Lubizhdë dhe Skorobishtë. Dëmet nga këto raste e kalojnë vlerën materiale mbi 22 mijë euro”, thuhet në njoftim.