Një person është arrestuar në Prizren nën dyshimin për posedim dhe shpërndarje të substancave narkotike. Sipas informacioneve të siguruara nga “Betimi për Drejtësi”, rasti ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së premtes, më 24 tetor 2025, rreth orës 02:00.
Patrulla e Stacionit të Policisë në Prizren ka ndaluar për kontroll një veturë të tipit Golf IV të cilën e drejtonte i dyshuari S. K., ndërsa pasagjer ishte M.Ç.,Gjatë kontrollit trupor, policia ka gjetur substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, ndërsa gjatë kontrollit të automjetit janë zbuluar edhe disa qese të tjera me të njëjtën substancë.

Sipas burimeve i dyshuari u ka treguar policëve se në shtëpinë e tij posedon edhe një sasi tjetër narkotikësh.
Pas konsultimit me prokurorin, patrulla policore ka shkuar në banesën e në Prizren, ku pas verifikimit është gjetur sasi shtesë e substancave narkotike, të cilat i dyshuari i ka dorëzuar vetë.

Janë sekuestruar 47.62 gram marihuanë, 3.06 gram hashash, 830 euro para të gatshme, një veturë, një telefon celular dhe disa qese të zbrazëta për paketim të narkotikëve.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit dhe, me vendim të prokurorit të rastit, i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Ai po hetohet për veprën penale “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve”, në bazë të nenit 267 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BpD

