Prizren: Arrestohet pas arratisjes 10 mujore i dyshuari për vjedhje në Reqan (foto)
Policia ka arritur të arrestojë personin e dyshuar për vjedhje dhe dëmtim prone në Prizren, pas 10 muajsh në arrati. Ai ishte shpallur në kërkim qysh në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Inan Mahmuti, 30-vjeçar, i cili është kapur sot nga Policia rajonale në Prizren dhe u shoqërua në stacion policor për intervistim, në lidhje me veprat me të cilat ngarkohet.
Mahmuti dyshohet se bashkë me një person tjetër, në bashkëkryerje kanë kryer vjedhje dhe kanë dëmtuar një pronë në fshatin Reqan të Prizrenit më 24 dhjetor 2021.
Ndaj tyre, pas identifikimit, është dorëzuar kallëzim penal, ndërkohë që i dyshuari Mahmuti është dërguar në mbajtje për 48 orë, me vendim të Prokurorit të Shtetit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.