Prizren: Arrestohet personi i kërkuar me katër urdhër-arreste, ishte i dënuar me mbi dy vjet burg
Policia në Prizren ka arrestuar një person të kërkuar me katër urdhër-arreste, i cili ishte dënuar me 2 vite e 3 muaj burgim, por kishte shmangur ekzekutimin e dënimit për një kohë të gjatë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se i arrestuari është Kreshnik Thaqi (23 vjeçar), i cili është lokalizuar dhe kapur në shtëpinë e tij në rrugën “Beteja e Jeshkovës” në Prizren.
Operacioni i arrestimit është realizuar në kuadër të masave të shtuara të sigurisë dhe veprimeve policore, ku janë angazhuar disa njësi elitare, përfshirë GAA-1, GAK 3.1, GAA-2, GAA-3, GAA-4, GAA-5, Njësitin DHTN dhe NJRSH Prizren.
Policia fillimisht ka siguruar perimetrin e shtëpisë ku qëndronte i kërkuari, pasi ai njihej për refuzimin e tij të vazhdueshëm për t’u dorëzuar.

Pasi është garantuar siguria, njësitet kanë hyrë në objekt pa përdorimin e forcës dhe e kanë gjetur të dyshuarin duke kryer punime në dhomën e tij.
Pas legjitimimit dhe prangosjes, 23-vjeçari është shoqëruar në stacionin policor për procedurat e mëtejshme dhe më pas do të dërgohet në vuajtje të dënimit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.