24-11-2024

Prizren: Asfaltimi i rrugës së Barut’hanes, një nevojë urgjente për lidhje me autostradën

Prizrenit patjetër i duhet asfaltimi i shpejtë i rrugës së Barut’hanes, jo vetëm për shkurtimin e distancës dhe lehtësimin e lidhjes me autostradën “Ibrahim Rugova”, por edhe për shkarkimin e magjistrales  Prizren-Gjakovë.

Realizimi i këtij projekti të rëndësishëm, i është kërkuar edhe kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskukës, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Një kërkesë të tillë, qytetarët ia kanë kërkuar kryetarit në debate, e dëgjime publike për buxhetin komunal, duke thënë se kjo tashmë është nevojë urgjente e Prizrenit.

Nehat Basha e Fatmir Berisha, thonë se kjo rrugë do ta shkarkonte në masë të madhe trafikun edhe ashtu të ngulfatur në Prizren, sidomos gjatë muajve të verës, kur ka një fluks të automjeteve.

Rruga që nis nga kryqëzimi i rrethit të transitit të ri, tek pishina “TeA” dhe del tek karburanti “Arbëria”, për t’u kyçur me hyrje-daljen e autostradës “Prizren-Veri”, ka një gjatësi prej 3 km.

Ajo është me interes të përgjithshëm, pasi lidh dy transitet, të vjetrin dhe të riun, gjë që mundëson edhe qasjen shumë më të shpejtë për në qytet.

Përmes kësaj rruge të shtruar me zhavorr do të krijohej lidhje më e shkurtër e disa lagjeve të Prizrenit, përfshirë Ortakollin, Bazhdarhanen, por edhe pjesëve tjera të qytetit me autostradën.

Prizreni aktualisht ka dy mundësi të lidhjes me autostradën, por ajo në Veri është vlerësuar si e papërshtatshme për qytetin, andaj kjo do të ndihmonte, sidomos edhe me hapjen e transitit të ri, shkaku i bllokimit nga një shtëpi, në lagjen “Arbana”.

Sipas Haskukës, Komuna ka paraparë një projekt me dy korsi për rrugën e “Barut’hanes”, por ka një deklarim se kjo do të bëhet nga ana e ministrisë, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

Konsiderojmë se kjo nuk duhet më mbetet me kaq, por të bëhet trysni për një realizim sa më të shpejtë të këtij projekti, pasi premtimet e Ministrisë për Infrastrukturë shpesh zgjasin me vite, sikur është rasti i riparimit të rrugës së Hasit, Gjonaj-Kushnin-Demjan.

Për shkak të rëndësisë së saj, Komuna duhet ta ketë prioritet segmentin e shkurtër të rrugës së Barut’hanes,  por tejet të rëndësishëm,  për ta asfaltuar sa më parë, duke krijuar kësisoj edhe një alternativë tjetër rrugore për qasje sa më të lehtë në autostradë dhe anasjelltas. Ndërkaq, edhe kostoja e saj nuk është aq e lartë.

Sipas zyrtarëve komunal, krahasuar me këtë vit, për 2020-ën Prizreni do të ketë 7.32 % rritje të buxhetit të përgjithshëm./GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.