Prizren: Avokati i të akuzuarit për vrasjen e bashkëshortes propozon që klientit të tij t’i bëhet ekzaminim psikiatrik
Mbrojtësi i të akuzuarit për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, Bajram Velija, avokati Orhan Rekathati ka propozuar që klientit të tij t’i bëhet ekzaminim psikiatrik.
Një propozim të tillë avokati Rekathati e ka bërë në seancën e shqyrtimit të dytë, të mbajtur të premten në Gjykatën Themelore në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, avokati Rekathati deklaroi se ka dërguar kërkesë me shkrim për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se aktakuza është e paqartë.
Ai deklaroi se klienti i tij, në seancën e parë, e ka pranuar që e ka privuar nga jeta viktimën, mirëpo tha se nuk e ka pranuar se e ka bërë me dashje.
Se veprën nuk e ka kryer me dashje apo paramendim tha edhe i akuzuari Velija, duke u deklaruar edhe një herë tjetër i pafajshëm për pikën e parë të aktakuzës, që e ngarkon atë me veprën penale të vrasjes së rëndë.
Avokati Rekathati propozoi që të bëhet ekzaminim psikiatrik për të akuzuarin, edhe përkundër faktit që nuk posedojnë ndonjë dokument që e mbështet propozimin e tyre, si dhe faktit që vet i pandehuri në shqyrtimin fillestar ka deklaruar se asnjëherë nuk ka qenë i sëmurë psikik ose në ndonjë trajtim tjetër.
Lidhur me këto, prokurorja Ervehe Gashi fillimisht deklaroi se i kundërshton në tërësi pretendimet e mbrojtjes lidhur me kërkesën e tyre për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës, pasi tha se nga provat në të cilat bazohet aktakuza, si dhe nga vet përshkrimi faktik, vrasja e anëtarit të familjes, rezulton se i akuzuari këtë vepër e ka kryer me dashje.
Ndërsa në lidhje me propozimin për ekzaminim psikiatrik, prokuroja tha se nuk ka asnjë fakt që tregon ndonjë çrregullim mendor të akuzuarit.
Sipas prokurores, nëse i referohemi provave materiale, rezulton se i akuzuari ka pasur kohë që ta qetësojë veten, pasi tha se ka ecur gati 1 km deri sa e ka takuar viktimën.
Lidhur me këtë, prokurorja Gashi kërkoi nga gjykata që të mos e pranoj këtë propozim të mbrojtjes.
Deklarimin e prokurores e mbështeti edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Granit Vokshi, duke kërkuar që kërkesa për hudhjen e aktakuzës të refuzohet.
Kurse lidhur me propozimin për ekzaminim psikiatrik, avokati Vokshi tha se i njëjti propozim është tërësisht i pambështetur, për arsye se standardi i kërkuar ligjor për të urdhëruar ekzaminimin psikiatrik është ekzistenca e dyshimit se i pandehuri ka vepruar në gjendje të paaftësisë mendore.
Tutje ai deklaroi se ekzistenca e dyshimit duhet të mbështet në prova, ndërsa në kërkesën për kundërshtim të provave thuhet se i pandehuri kurrë në jetën e tij nuk ka pasur çrregullime mendore, andaj dhe kërkoi nga gjykata që ta refuzojë një propozim të tillë.
Fjalën e prokurores dhe atë të avokatit Vokshi e mbështeti edhe e dëmtuara Diellza Hoti, që njëherit është vajza e viktimës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas këtyre deklarimeve, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi e refuzoi si të pabazuar propozimin e mbrojtjes për ekzaminim psikiatrik të të akuzuarit.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 28 shkurt 2020, Bajram Velija akuzohet se me 6 gusht 2019, në lagjen “Jeta e Re” në Prizren, me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes-bashkëshorten e tij, Armenda Aliu-Velija.
Sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshje paraprake me viktimën, në momentin kur viktima po largohej nga shtëpia e tyre, i pandehuri pajiset me një pistoletë dhe në dalje të shtëpisë ka shtënë 15 herë në drejtim të bashkëshortes së tij, duke e goditur të njëjtën 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit. Pas kryerjes së këtij veprimi, i pandehuri bashkëshorten e tij e mbulon me një fustan të saj dhe pret ardhjen e policisë.
Bajram Velija akuzohet se me këto veprime ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.
Sipas pikës së dytë të aktakuzës, thuhet se deri më 6 gusht 2020, i pandehuri mban në pronësi dhe kontroll pistoletën e tipit “Pietro Beretta Gardone”, disa karikatorë dhe fishekë, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, me të cilën pistoletë prokuroria dyshon se është kryer vepra penale e vrasjes së rëndë.
Me këto veprime, sipas aktakuzës, i akuzuari ka kryer veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve.
Ndryshe, i pandehuri Velija gjendet në paraburgim që nga 6 gushti i vitit të kaluar. /BetimipërDrejtësi