27-11-2024

Prizren: Babai e denoncon djalin e tij 17-vjeçar në Polici, e kap me drogë

Përdorimi i substancave narkotike ka marrë përmasa shqetësuese në Kosovë. Ato po përdoren me të madhe, sidomos nga të rinjtë të cilët shpesh kapen në flagrancë nga Policia, raporton Gazeta Sinjali.

E një rast i tillë është zbuluar sot në Prizren, ku një prind ka raportuar djalin e tij pasi i njëjti posedonte lëndë narkotike.

Babai i 17-vjeçarit në Stacionin Policor kishte sjell me vete një sasi të substancës 0.33 gram, e cila sipas Policisë së Kosovës ka rezultuar të jetë kokainë.

Pas raportimit të babait, në stacion është paraqitur edhe vet 17-vjeçari, i cili ka pranuar se substanca e dyshuar është e tij.

Zëdhënësi i policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi ka thënë për Sinjalin se i dyshuari është intervistuar në prani të prindit dhe të avokatit mbrojtës, i cili me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 24 orë.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Asnjë koment

Comments are closed.