24-11-2024

Prizren: Banorët e këtyre rrugëve kërkojnë autobus urban

Banorët e dy rrugëve periferike të Prizrenit, atyre “Jusuf Gërvalla” dhe “Enver Hadri”  kërkojnë autobus urban për të udhëtuar drejt pjesëve tjera të qytetit, pasi siç thonë në mungesë të tij janë të detyruar  të ecin këmbë deri në stacionet tjera, ndërsa kjo pjesë tashmë është populluar mjaft.

Gjylie Qatani, një familjare dhe punëtore nga rruga ‘Enver Hadri”, thotë se anashkalimi i kësaj pjese, përkatësisht ndërprerja nga rrjeti i lëvizjes së autobusëve urbanë tashmë përbën problem për banorët, sidomos për nxënësit e shumtë.

“Si lagje qëndrojmë shumë keq sa i përket transportit me autobusë. Linja është ndërprerë, ndërsa rruga tashmë është shtruar me asfalt. Me keq e kanë punëtorët, gratë dhe më të moshuarit”, tha ajo për portalin “Gazeta e Prizrenit”.

Një banor tjetër, Agim Krasniqi, thotë se autobusët janë të domosdoshëm të qarkullojnë nëpër këtë lagje, pasi ka edhe shumë nxënës e studentë, të cilët bartin çanta të rënda, ndërsa shkollat janë në pjesën tjetër të qytetit, në një largësi 4-5 kilometra.

Banorët kërkojnë që Komuna të rregullojë sa më parë këtë çështje.

Tafil Berisha, thotë se në bazë të kompetencave dhe obligimeve për ofrim cilësor të shërbimeve të transportit urban, komuna duhet të sigurojë qasje në trafikun urban për të gjitha lagjet, fshatrat dhe vendbanimet në mënyrë që të gjithë qytetarët të kenë qasje të barabartë në këto shërbime.

Lis Dorambari, zëdhënës i Komunës së Prizrenit, ka thënë për gazetën se Komuna është duke punuar dhe shqyrtuar jo vetëm këtë linjë autobusit urban, por edhe të tjerat dhe është duke bërë riorganizimin me plotësim ndryshime, sipas kërkesave dhe arsyeshmërisë së tyre. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.