23-11-2024

Prizren: Bizneset vendore takohen me ato të diasporës për mundësinë e bashkëpunimit

Në kuadër të Forumit të Bashkë-Investimeve dhe Rrjetëzimit, të organizuar nga Komuna e Prizrenit në bashkëpunim me organizatën Germin, sot është mbajtur takimi B2B (biznes to biznes) mes bizneseve vendore dhe atyre nga diaspora.

Qëllim i këtij aktiviteti ka qenë që bizneset vendore të mund të takohem me investitorë të huaj dhe të shihet mundësia për bashkëpunim.

Nga organizata ‘Germin’ Lirim Krasniqi, ka bërë të ditur se në këtë aktivitet kanë marrë pjesë 60 biznese të huaja dhe rreth 30 biznese vendore.

“Aktiviteti i sotëm është takimi midis bizneseve vendore dhe bizneseve të huaja dhe nga diaspora që kanë ardhur të marrin pjesë në forumin e bashkë investimeve në Prizren. Ne i kemi diku rreth 60 biznese të huaja dhe nga diaspora dhe i kemi rreth 30 biznese prezentë nga Prizreni, po ka edhe disa biznese që janë nga qytete të tjera. Qëllimi i këtij aktiviteti është që të ofrojmë një mundësi shtesë për bizneset lokale për të takuar partnerë potencial nga bota e jashtme, që kryesisht janë diaspora jonë”, tha ai.

Ai bëri të ditur se bizneset që janë prezantuar në këtë aktivitet si sektor kryesor kanë përpunimin dhe prodhimin e ushqimit, sektorin e tekstilit, ndërtimit dhe transportit.

Krasniqi tha se një aktivitet i tillë është menduar se do të jetë efektiv për bizneset vendore, që të mund të bashkëpunojnë me ato të huajat.

“Ne mendojmë se kjo është baza ose themeli i një partneriteti potencial midis bizneseve lokale dhe atyre të huaja. Nëse asgjë nuk arrihet këta vendosin kontakte me njëri tjetrin dhe kanë mundësi që në vazhdimësi të kenë komunikim dhe potencialisht të arrijnë ndonjë marrëveshje partneriteti, e cila do të ndikonte në rritjen e kapaciteteve vendore. Por, në të njëjtën kohë edhe eksportimin e produkteve dhe shërbimeve që i ofrojnë”, u shpreh ai.

Çantat që janë punime dore sot i ka prezantuar Valdrin Jahaj, për të cilin një takim i tillë është shumë i mirëseardhur.

“Ideja është shumë e mirë, interesante edhe me na zhvillua neve si biznes i vogël që jemi. Ka njerëz investitor që janë të interesuar, kanë ardhur kanë pyetur, diçka jo konkrete por po presim me ardh edhe të tjerë me u interesua… Ne ju prezantojmë çanta të cilat janë punëdore, prej A deri në Zh siç themi, prej fillimit deri në përfundim i bëjnë gjithçka punëdore”, tha ai.

Dekoret që i bënë për ëmbëlsira në këtë takim i ka prezantuar Tuba Koçbashli, e cila idenë për një takim të tillë e quan të qëlluar.

“Ne si Kosovë jemi pak të kufizuar, na nevojiten patjetër certifikimet e disa produkteve prodhimeve tona, disa nga iso standardet veç janë të mbushura nëpërmjet këtij projekti dhe më herët që kemi pasur mundësi të trajnohemi. Do të mundohemi që t’i marrim ato certifikata, atëherë do të na hapen edhe rrugë për t’i eksportuar këto produkte jashtë… Kryesisht merrem me përgatitjen e dekoreve, do të thotë ideja ime primare ka qenë prodhimi i dekoreve, brumërat i prodhojë vet, i përgatis duke filluar nga baza janë bio produkte”, u shpreh ajo.

E të gjitha këto biznese që sot janë prezantuar në Parkun e Inovacionit dhe të Trajnimeve në Prizren, i ka vizituar edhe president i rrjetit të bizneseve të diasporës shqiptare në Itali, Vat Marashi. Ai për KosovaPress, tha se kanë ardhur në këtë takim edhe me shumë biznesmen italian e që duan të bashkëpunojnë me bizneset vendore.

“Kemi ardhur me disa biznesmen shqiptar dhe arbëresh, bashkë me ne janë edhe Italianët. Në këtë rast ne vijmë se jemi në hapa konkret në lidhje me eksportimin e shumë prodhimeve, sidomos në fushën agro ushqimore, meqë cilësia është e pëlqyeshme, e lakmueshme edhe në tregun Italian, sepse i kemi promovuar disa muaj më parë, tash jemi në fazën e kontratave direkte”, tha ai.

Kurse, drejtori i zyrës së Unionit të Bizneseve shqiptare në Gjermani, Bekim Brestovci, tha se si shoqatë kanë për qëllim që të bëhen një urë lidhëse që bizneset vendore të eksportojnë mallrat ose prodhimet e

“Detyra jonë është natyrisht t’i japim mbështetje bizneseve vendore. Ne si Union jemi një shoqatë që funksionojmë në Gjermani që 5 vite, kemi rreth vetëm më shumë se 500 anëtarë të gjithë afaristë të suksesshëm në Gjermani dhe në misionin tonë është njëra prej pjesëve të platformës strategjike të veprimit që t’i mbështesim bizneset vendore për eksportimin e prodhimeve të tyre në tregun evropian. Sot besoj që do të njoftojë edhe shumë biznese vendore nga lokacioni i Prizrenit të cilave ndoshta do të kemi mundësi t’i bëhemi një urë lidhëse për eksportimin e mallrave ose prodhimeve të tyre”, tha ai.

Në kuadër të Forumit të Bashkë-Investimeve dhe Rrjetëzimit, të organizuar nga Komuna e Prizrenit në bashkëpunim me organizatën Germin, gjatë ditës do të bëhet lansimi i Zyrës Koordinuese për Diasporën, e cila ka për qëllim institucionalizimin e përpjekjeve për angazhim të diasporës në nivelin lokal.

Forumi i Bashkë-Investimeve dhe Rrjetëzimit ka filluar me 5 korrik, ndërsa sot është dita e fundit e këtij aktiviteti. /koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.