24-11-2024

Prizren: Burg 75 personave, pasi nuk paguan dënimet me gjobë

75 personave, të cilët nuk kanë arritur ta paguajnë dënimin me gjobë, të shqiptuar në Gjykatën Themelore (GJTH-së) të Prizrenit, gjatë këtij viti dënimi u është shndërruar në burgim, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

S.Krasniqi nga Prizreni, tha se shkaku i mospagesës së gjobës nga një aksident trafiku, dënimi me gjobë i është shndërruar në burgim.”Nuk kisha mjete, pasi here pas here punoj në ndërtimtari, andaj për këtë kam marrë 30 ditë burgim”, tregoi ai.

Zyrtarja për media në GJTH, Afërdita Kicaj ka thënë se nga fillimi i vitit e deri në tetor 2018, për shkak të mospagesës në kohën e paraparë ligjore, shndërrimi i ekzekutimit të dënimit me gjobë në dënimin me burgim është bërë në 75 raste.

Mbështetur në shënimet zyrtare, gjatë vitit të kaluar (2017) numri i rasteve të tilla ka qenë më i madh apo 101 sosh, por duke llogaritur vitin e plotë kalendarik.

Sipas ligjit, një ditë burgu llogaritet 20 euro.

Dënimi me gjobë, pos kundërvajtjes në trafik, shqiptohet edhe në rastet tjera.

Sipas ligjit, dënimi me gjobë nuk mund të jetë më pak se 100 euro, ndërsa jo me shumë se 25 mijë euro.  Në rastet tjera, dënimi me gjobë në procedurë penale mund të shqiptohet maksimalisht deri në 500 mijë euro, për veprat penale kundër terrorizmit, trafikim me njerëz, krim të organizuar, e disa tjera.

Po ashtu, varësisht nga rasti, edhe dënimi me burg mund të zëvendësohet me gjobë. Kjo  vetëm kur shqiptohet burgim deri në 6 muaj, ndërsa me pëlqimin e të dënuarit, kjo masë zëvendësohet me gjobë, dhe se duhet të ceket në dispozitiv të vendimit.

Me ligj parashihet që afati i pagesës së gjobës nuk mund të jetë më i shkurt  se 15 ditë, e deri në 3 muaj. Në rrethana të arsyeshme mund të lejohet pagesa dhe në këste, deri në afat prej dy vjetësh.

Në anën tjetër, policia rajonale, kohët e fundit herë pas herë njofton për arrestimin e personave, të dënuar për vepra të ndryshme nga organet e drejtësisë, por që kanë tentuar t’i shmangen vuajtjes së dënimit. /GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.