26-11-2024

Prizren: Burri shkel urdhrin mbrojtës, e kërcënon gruan me jetë: Kam me iu vra

Urdhrat që lëshojnë Gjykatat ndaj personave të cilët kanë kryer dhunë në familje jo gjithmonë respektohen dhe për pasojë vepra përsëritet e madje përfundon edhe tragjikisht, siç ndodhi me rastin e gruas shtatzënë që u vra nga ish-bashkëshorti i saj. Një rast i frikshëm, ku është paralajmëruar edhe vrasja ka ndodhur së fundmi në një familje në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se një grua e ka denoncuar bashkëshortin e saj në Polici, i cili nuk e ka respektuar urdhrin mbrojtës të Gjykatës, ashtu që e ka kanosur seriozisht, në shtëpinë e tyre, në rrugën “Ismet Gashi”.

Sinjali mëson se i dyshuari N.C., e ka kërcënuar viktimën se do ta largojë nga shtëpia dhe e ka paralajmëruar se do ta pësojë tragjikisht, duke i thënë se “kam me iu vra”.

Përballë kësaj situate, gruaja ka vendosur ta raportojë rastin në Polici, ku ka kërkuar mbrojtje pasi ka frikë se mund të ndodhë diçka e keqe.

Si rezultat i denoncimit, Policia e ka arrestuar të dyshuarin, i cili para hetuesve policorë ka dhënë një deklaratë për rastin, duke e mohuar ta ketë kanosur gruan dhe më pas është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndryshe, masa mbrojtëse e ndalimit të afrimit viktimës së dhunës në familje si dhe vartësit të tij/saj dhe personave tjerë nëse është e nevojshme, mund t’i shqiptohet personit i cili ka kryer dhunë në familje, nëse ekziston rreziku i përsëritjes së dhunës në familje.

Në urdhrin me të cilin shqiptohet masa e ndalimit të afrimit viktimës së dhunës në familje, gjykata cakton vendin, regjionin dhe largësinë, brenda së cilës kryerësi nuk guxon t’i afrohet viktimës së dhunës në familje.

Asnjë koment

Comments are closed.