Prizren: Çka kërkoi prokurorja e çka mbrojtja në gjykimin ndaj ish-inspektorit që “lajmëroi marketin para inspektimit”
Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, në fjalën përfundimtare, prokurorja Ervehe Gashi ka kërkuar dënimin e të akuzuarit për keqpërdorim të informatës zyrtare, Albrim Poniku, ndërsa i akuzuari Poniku lirimin e tij nga akuza.
Poniku po akuzohet se në cilësi të inspektorit të Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë, nga telefoni i tij i ka dërguar Besart Bytyqit, punëtor në market “Vrrini” një SMS, me përmbajtje “ej mshile se po vina ka ti” me ç’rast market “Vrrini” përfiton përparësi për mos t’u gjobitur për shkak të mosrespektimit të vendimit të Qeverisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurorja Gashi, fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, ndërsa gjatë elaborimit të saj me gojë ka thënë se nga provat materiale dhe dëgjimi i dëshmitarëve, është vërtetuar gjendja faktike e përshkruar në aktakuzë.
Ajo tha se nga mesazhet të cilat janë nxjerrë nga telefoni i dëshmitarit Besart Bytyqi, si dhe nga raporti i Agjencionit Kosovar të Forenzikës, është vërtetuar se është dërguar një mesazh në telefonin e dëshmitarit Bislim Bislimaj dhe deklaratat e dhëna nga i njëjti.
Prokurorja tha se përfitimi ka qenë që marketit dhe qebaptores “Vrrini” t’i krijohet përparësi që të njëjtit t’i mbyllin lokalet që të mos gjobiten dhe të mos ndalohet veprimtaria e tyre.
Prokurorja Gashi ka propozuar që Poniku të shpallet fajtor si dhe ndaj tij të shqiptohet edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik dhe se gjatë shqiptimit të dënimit të merret parasysh udhëzimi i Gjykatës Supreme të Kosovës.
Po ashtu, ajo ka propozuar që si rrethana rënduese të merren: fakti se vepra penale ka rrezikshmëri të madhe shoqërore, fakti se vepra penale është kryer në kohën e pandemisë dhe se është rrezikuar jeta e qytetarëve, fakti se vepra penale është kryer nga ana e zyrtarit, fakti se me sjellje të tilla zbehet besimi i qytetarëve në institucionet publike dhe fakti që pozita që i akuzuari ka ushtruar kërkon veprime dhe sjellje korrekte.
Fjalën përfundimtare me shkrim, e ka dorëzuar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Poniku, avokati Sylejman Klinaku, i cili gjatë elaborimit të saj me gojë tha se nga provat dhe të gjitha dëshmitë është vërtetuar së i akuzuari Poniku, Byqtyqin e ka pasur mik shtëpie dhe se me mesazh kanë komunikuar për të pirë kafe.
Sipas Klinakut, market “Vrrini” është gjobitur nga i akuzuari Poniku dhe nëse ai do të kishte qëllim për ta informuar dhe për të përfituar, nuk do ta kishte gjobitur.
Në fund, Klinaku ka thënë se nuk ka prova që i mbojturi tij e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij, e ka mbështetur i akuzuari Poniku, duke shtuar se e ndjen veten të pafajshëm dhe ka kërkuar që të lirohet nga akuza.
Paraprakisht, është bërë leximi i provave: kontrata e shërbimit për furnizim me ushqim dhe pije e dorëzuar nga dëshmitari Bislimaj dhe provat- komunikimet me shkrim nga i akuzuari me zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë.
Më pas, kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi, njoftoi se shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 14 korrik 2023.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, i akuzuari Albrim Poniku, po ngarkohet se më 3 shtator 2021 në cilësi të personit zyrtar, e keqpërdorë informatën zyrtare, me qëllim që për personin tjetër të përfitojë ndonjë përparësi që nuk i takon,
Sipas aktakuzës, Poniku në cilësi të inspektorit të Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë, në momentin kur kupton se janë duke shkuar të bëjnë inspektimin e market dhe qebaptoren “Vrrini”, e cila gjendet në afërsi të fshatit Vlashne, lidhur me respektimin e orareve të punës në situatë të pandemisë COVID-19 të përcaktuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, njofton punëtorin e këtij marketi, informatë në të cilën është qasur si rezultat i detyrës së inspektorit, e cila informatë nuk ka qenë publike.
Tutje, sipas aktakuzës i akuzuari Poniku nga telefoni i tij i dërgon Besart Bytyqit punëtor në market “Vrrini” një SMS, me përmbajtje “ej mshile se po vina ka ti” me ç’rast market “Vrrini” përfiton përparësi për mos t’u gjobitur për shkak të mosrespektimit të vendimit të Qeverisë.
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i informatës zyrtare” nga neni 416, par.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.