23-11-2024

Prizren: Ç’solli gjykimi ndaj ish-përmbarueses private

Ish-përmbaruesja private e akuzuara Saranda Kuçi ka thënë se dispozita në të cilën Prokuroria e ka bazuar aktakuzën nuk ka të bëjë me veprimet përmbarimore për çka ajo akuzohet.

Këtë deklarim, Kuçi e ka dhënë të premten në Gjykatën Themelore në Prizren, ku po akuzohet se ka urdhëruar përmbarimin duke e konfiskuar traktorin tipit “Hurmilan-XA6062” në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Xh.G, i cili nuk ishte pronë e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Sa i përket neni 46 paragrafi 1.1 pika 1.1.1. të Ligjit të Procedurës Përmbarimore (LPP), 04/L- 139, në të cilin prokuroria e ka bazu aktakuzën nuk ka të bëjë fare me veprimet përmbarimore me rastin e kësaj lënde ku jam e akuzuar”, ka thënë Kuçi.

Me rastin e dhënies së mbrojtjes së saj, Kuçi ka thënë se qëndron në tërësi pranë deklaratës së dhënë në prokurori.

Duke u përgjigjur në pyetje e mbrojtësit të saj, avokat Sylë Hoxha, e njëjta ka treguar se provat në të cilat i ka ofruar Prokuroria, janë prova të cilat i ka dorëzuar me rastin e dhënies së deklaratës në prokurori.

Kuçi tha se ka vepruar sipas nenit 341 të LPP-së, që përshkruan detyrat e përmbaruesit privat me rastin e kryerjes së përmbarimit.

E njëjta ka shpjeguar se si procedura përmbarimore në sendet e luajtshme kalon nëpër tri faza.

Tutje, Kuçi tha se në rastin konkret kur kishte dal në teren, traktori në fjalë ka qenë në shtëpinë e debitorit dhe se të njëjtin e ka regjistruar e që me atë rast debitori i kishte kërkuar afat shtesë për pagesë vullnetare të borxhit.

Ajo ka deklaruar se pasi që debitori kishte dështuar të bëjë pagesën e borxhit kishte dal sërish në terren së bashku me policinë dhe kreditorin.

Sipas saj, debitori me vullnetin e tij ka deklaruar se nëse nuk e paguan borxhin në afat mund të marrin pasurinë e tij, në këtë rast traktorin.

Në pyetjen e prokurorit Mehdi Sefa se gjatë regjistrimit të sendeve të luajtshme që kanë qenë në posedim të të dëmtuarit Xh.G, a ka bërë verifikimin se në pronësi të kujt janë, Kuçi ka thënë se nuk kishte arritur deri në atë fazë të procedurës, se në rastin konkret ka qenë në fazën e parë.

Ndryshe, në fillim të kësaj seance, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi ka aprovuar propozimin e avokatit Hoxha të bëhet leximi i procesverbalit dhe aktakuzës, ku e akuzuara Kuçi ka cilësinë e të dëmtuarës- dëshmitares.

Avokati Hoxha ka njoftuar trupin gjykues se ndaj të dëmtuarit Xh.G, Prokuroria ka ngritur aktakuzë pasi që i njëjti ka kanosur në gjykatë bashkëshortin e të akuzuarës Kuçi.

Lidhur me këtë, i dëmtuari Xh.G ka thënë se nuk ka përmend asnjë emër dhe nuk e di pse e akuzuara e ka marrë si kërcënim.

Gjykatësja Elezi, seancën e sotme e ka ndërprerë, kurse seancë e radhës për këtë rast e ka caktuar më 26 maj 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, më 29 korrik 2022, Saranda Kuçi po akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare të saj, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Përmbarimore ka urdhëruar përmbarimin duke e konfiskuar traktorin e tipit “Hurmilan-XA6062” në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Xh.G.

Në aktakuzë thuhet se, e akuzuara Kuçi ka urdhëruar konsfikimin e traktorit i cili nuk ishte pronë e të dëmtuarit Xh.G, por pronë e të ndjerit H.B nga Suhareka, të cilin e dërgon në truallin ndërtimor të kreditorit Bajrush Gashi NPT “Loni” nga Suhareka.

Me këto veprime, Kuçi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.