27-11-2024

Prizren: Ç’solli gjykimi ndaj nëntë doganierëve dhe të tjerëve

Dëshmitari Selim Morina, ka mohuar se doganierit i ka dhënë shumën prej 100 euro, për mallin që kishte futur në pikën kufitare të Vërmicës, në gjykimin ndaj nëntë doganierëve dhe të tjerëve.

Këtë deklarim, Morina e ka dhënë të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, pasi prokurorja Ervehe Gashi ka ballafaquar dëshmitarin me deklaratën e dhënë para hetuesve doganorë, ku sipas saj, Morina kishte deklaruar se doganierit ia kishte dhënë 100 euro në mënyrë që të kryejë punë sa më shpejtë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, Besart Malaj, Ilir Bobi, Hekuran Dana, Dritëro Zeka, Jeton Berisha, Miljan Videsavlejevic, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlija, të cilët po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Kurse, i akuzuari Dritan Hasimja ngarkohet për dy vepra penale, keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrja e ryshfetit.

Po ashtu, në këtë rast Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha po akuzohen për veprat penale “Kontrabandimi i mallrave”, “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore” dhe “Tregtia e ndaluar”.

Dëshmitari Morina deklaroi se nuk i kujtohet deklarata e 1 dhjetorit 2020,  e dhënë para hetuesve doganorë, me arsyetimin se ka qenë i shqetësuar, pasi që bashkëshortja e tij ishte sëmurë.

Lidhur me zhdoganimin e mallit, dëshmitari Morina tha se doganierit ia kishte dhënë shumën prej 200 euro, që të kryejë procedurat e zhdoganimit.

“Kam hy në zyrën e Doganës dhe kam paguar 200 euro për Doganë për atë mall dhe i kërkova falje doganierit, se a ka mundësi me shku pasi që në automjet e kam shoqen e cila është shumë e sëmurë. Doganieri më dha leje dhe i njëjti është marr me procedurat e zhdoganimit të mallit. Pastaj mi ka sjellur dokumentet te makina, mi ka kthyer 80 euro dhe letrat e doganës me 120 euro pagesë për doganë”, ka thënë dëshmitari Morina.

Ndërsa, në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, Ajser Skenderi nëse është në dijeni për cilin doganier bëhet fjalë dhe ka kërkuar nga i njëjti të shikojë nëse mund të identifikojë të njëjtin doganier në sallën e gjykimit, mirëpo dëshmitari Morina tha se nuk e njef asnjërin.

Kurse, në pyetjen e të akuzuarit Dritan Hasimja se në dokumentet që kishte pasur me vete për tranzitin e mallit, a ka qenë i shënuar i gjithë malli, Morina ka pohuar një gjë të tillë.

Paraprakisht, është bërë dëgjimi i dëshmitarit Haki Mehmeti, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtëses së të akuzuarit Hasimja, avokates Shpresë Bakija, ka treguar për rastin e 2019, ku një person kishte bartur mall për KFOR-in Italian.

Mehmeti tha se personi kishte qenë nga Klina dhe se kur kishte arritur në pikën doganore, nuk e kishin lejuar futjen e mallit në Kosovë, pa e sjellur autorizimin personi nga Klina, i autorizuar prej KFOR-it që të tërheq mallin.

Sipas Mehmetit, doganierët nuk i kanë kërkuar pagesë, pasi që kishin kuptuar që malli ishte i KFOR-it.

Tutje, dëshmitari Mehmeti tha se nuk kishte qenë prezent, në momentin kur personi nga Klina ka bërë prezantimin e dokumentacionit dhe procedurat me doganier.

Gjykatësja Skenderi, seancën e sotme e ka ndërprerë, kurse seancat e radhës tha se do të mbahen më 8 dhe 13 shtator 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të ngritur në qershor të 2021-ës, të pandehurit Besart Malaj, Dritan Hasimja, Ilir Bobi, Hekuran Dana, Dritëro Zeka-Roni, Jeton Berisha, Miljan Videsavlejevic, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlia, në periudhën kohore 7 mars 2018 – 21 maj 2019,  në pikëkalimin kufitar në Vërmicë – Komuna e Prizrenit, në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtarë – si zyrtarë doganorë, 64 herë ua sigurojnë të pandehurve Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha, kalimin e automjeteve  të ngarkuara me duhan të grirë-refuz – në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramë, filtër për cigare “Grande” – 1 milion e 300 mijë copë, filtër për cigare “Gentleman” – 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro” dhe “Ëest”, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.

Me këto, thuhet se i kanë shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerën e taksës së akcizës, taksës së doganës dhe TVSH-së së papaguar rreth 3 milionë euro.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit me këto veprime në bashkëkryerje dhe vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1 lidhur me nenin 31 dhe nenin 81 të Kodit Penal.

Ndërsa, të akuzuarit Driton Kurshumlija dhe Dritan Hasimja gjatë muajit shkurt-mars 2019, në cilësi të personave zyrtarë, në pikën kufitare në Vërmicë-Prizren, kërkojnë përfitime për vete, për të vepruar në pajtim me detyrat e tyre.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Kurshumlija më 7 shkurt 2019, kërkon nga i dëmtuari Sefedin Jasiqi shumën prej 100 euro, për kryerjen e zhdoganimit të mallit duke i thënë se zhdoganimi është më lirë nëse i dëmtuari i paguan 100 euro.

Po ashtu, i njëjti thuhet se më 31 mars 2019, kërkon nga i dëmtuari Mentor Rexhepi shumën prej 70 euro për kryerjen e zhdoganimit të mallit, duke i thënë se aq kishte kushtuar zhdoganimi.

Ndërsa, i akuzuari Hasimja më 3 shkurt 2019, thuhet se kërkon para nga i dëmtuari Sali Kalludra për kryerjen e zhdoganimit, duke ditur se mallrat që importon KFOR-i, janë të liruara nga dogana.

Aktakuza thotë se më 8 shkurt 2019, i pandehuri merr shumën prej 100 euro nga i dëmtuari Selim Morina për të zhdoganuar vetëm një pjesë të mallit.

Me këto veprime, sipas prokurorisë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit” në vazhdimësi nga neni 421, par. 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.

Tutje në aktakuzë thuhet se të pandehurit Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha, akuzohen se në periudhën kohore 7 mars 2018 – 21 maj 2019, në pikëkalimin kufitar në Vërmicë – Komuna e Prizrenit, në bashkëkryerje, pa leje përkatëse shmangin kontrollin doganor dhe kalojnë vijën kufitare duke bartur duhan të grirë – refuz në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramë, filtër për cigare “Grande” – 1 milion e 300 mijë copë, filtër për cigare “Gentleman” – 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro” dhe “Ëest”, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.

Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje në vazhdimësi akuzohen se kanë kryer veprat penale “Kontrabandim me mallra” nga neni 317, par. 2, veprën penale “Shmangie nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore”, nga neni 318, par.2 si dhe veprën penale “Tregti e ndaluar”, nga neni 305, par. 2, lidhur me nenin 31 dhe 81 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.