24-11-2024

Prizren: Ç’solli gjykimi për shpërthimin në Zhur

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi i ka dhënë vërejtje mbrojtësit të akuzuarit Arben Gashi, avokatit Esat Gutaj, pasi që mbrojtësi i të akuzuarit Iran Badalli, avokat Valdrin Gashi ka bërë vërejtje se avokati Gutaj po e udhëzon të akuzuarin Gashi në përgjigje me anë të mimikave.

Gjykatësja Skenderi, këtë vërejtje e ka bërë të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, gjatë dhënies së mbrojtjes nga i akuzuari Gashi, ku i njëjti së bashku me të akuzuarin Badalli po akuzohen se kishin vendosur mjet eksplodues në shtëpinë e të akuzuarit Badalli në fshatin Zhur, me ç’rast kur kishte ndodhur një bastisje nga Policia mjeti kishte shpërthyer ndërsa kishte mbetur i vdekur polici, S.Th, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“I tërhiqet vërejtja avokatit Esat Gutaj që gjatë dhënies së përgjigjeve nga ana e të akuzuarit që mos ta udhëzoj të njëjtin as me fjalë as me mimika, pasi që në këtë mënyrë i njëjti e prish edhe rendin në gjykatë për çka gjykata të njëjtin konform nenit 297 par.1 mund ta dënoj edhe me gjobë” ka thënë Skenderi.

Po ashtu, ajo vërejtje i ka dhënë edhe të akuzuarit Gashi, pasi që sipas avokatit Valdrin Gashi i njëjti i është drejtuar me fjalë ofenduese.

Për këtë, ka reaguar avokati Gutaj duke mohuar se ka udhëzuar të mbrojturin e tij.

“Nëse ka mundësi le të konstatohet sipas vërejtjeve të avokatëve, e jo sipas vërejtjeve të trupit gjykues…se nali me më kqyr unë klientin. Kur t’i ktheni edhe kamerat se veç me krah i thashë që nuk ka përgjegje prej meje…” ka thënë avokati Gutaj.

Në këtë seancë, mbrojtjen e tij e ka dhënë i akuzuari Gashi, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij avokatit Gutaj, ka thënë se nuk qëndron pranë deklaratës së dhënë në Polici me arsyetimin se të njëjtën e kishte dhënë duke qenë i stresuar, mirëpo i njëjti tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë në Prokurori.

I akuzuari Gashi tha se të akuzuarin Badalli e njeh që 15 vite dhe se me të njëjtin ka pasur marrëdhënie shoqërore.

Ai ka treguar se në vitin 2019, me kërkesën e të akuzuarit Badalli, me veturën e tij e kishte dërguar të akuzuarin dhe personin me emrin Rami për të blerë eksploziv tek Valbon Qollaku.

Gashi ka thënë se Badalli i kishte thënë se eksplozivi i duhej për të prishur shtëpinë e tij.

“E pyeta Iranin për çka po shkojmë, më tha po shkojmë me ble te një shok i Ramis eksploziv për me prish shtëpinë, një dinamit pasi që du me e shit shtëpinë, e ai pronari që po don me ble më tha se po don me ble veç tokën, e jo edhe shtëpinë”, ka thënë i akuzuari Gashi.

Tutje, Gashi ka treguar se pas disa javësh e kanë takuar përsëri Qollakun, me ç’rast sipas tij Badalli i kishe thënë Qollakut se eksplozivi i duhej për të thyer gur dhe se atë ditë për eksplozivë ia kishte e dhënë 100 euro kapar me kërkesën e të akuzuarit Badalli.

I akuzuari Gashi ka treguar se së bashku me të akuzuarin Badalli kanë shkuar në shtëpinë e Qollakut, ku në podrum të asaj shtëpie Qollaku dhe Badalli kanë bërë përgatitjen e mjetit shpërthyes.

“E kanë derdhë lëngun e kanë vendos tetrapakin, pasi që e kanë dedhur lëngun i ka qitë qato mjetet, të dy bashkë i kanë qitë ato në tetrapak, atë copën e sapunit dhe dy telat dhe diçka si të zezë e kanë vendos pëmbi. Valboni i tregojke Iranit qysh me përgatit, këta u merrshin vesh, i tregojke se qysh me shpërthy atë mjetin”, ka thënë Gashi.

Pas kësaj, ai tha se mjetin shpërthyes e kanë dërguar në shtëpinë e të akuzuarit Badalli.

Sa i përket ditës kritike të shpërthimit të eksplozivit, Gashi ka thënë se atë ditë kishte marrë me qira një veturë të tipit “Toyota” me të cilën kishte planifikuar të shkonte në Shqipëri. Ai tha se gjatë rrugës kishte biseduar me të akuzuarin Badalli dhe se atë ditë së bashku kishin qëndruar me të akuzuarin Badalli në restorantin “Bisa”.

I njëjti tha se, duke qëndruar aty kishte kuptuar nga i akuzuari Badalli se të njëjtin po e kërkonte policia dhe se me kërkesën e tij e kishte dërguar në fshatin Zhur, në një qoshe mbi shtëpinë e të akuzuarit Badalli.

Tutje, Gashi tha se gjatë daljes prej fshatit Zhur, tek firma “Vëllezërit e Bashkuar” kishte dëgjuar një shpërthim të vogël dhe një më të madh dhe se ka vazhduar rrugën për në Shqipëri. Ai tha që pas dy dite kishte kuptuar që shpërthimi kishte ndodhur në shtëpinë e të akuzuarit Badalli.

I pyetur nga avokati Gutaj, se përse deklarata e dhënë në polici dallon nga ajo që ka deklaruar sot, i akuzuari Gashi tha se ka dashur të mbronte shokun e tij, Iranin.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Ervehe Gashi, i akuzuari Gashi lidhur me deklaratat e dhëna në Prokurori ka thënë se qëndron pjesërisht pranë deklaratës së dhënë më 12 nëntor 2020, me arsyetimin se ka qenë i stresuar, ndërsa tha se qëndron plotësisht pranë deklaratës së 17 nëntorit 2020.

Prokurorja Gashi ka ballafaquar të akuzuarin Gashin me deklaratën e tij të dhënë më 17 nëntor 2020, mirëpo i akuzuari Gashi tha se e vërteta është ajo çka deklaron sot.

Kurse, duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësuesit të dëmtuarës Merita Qunaj, avokatit Blerim Mazreku, i akuzuari Gashi ka pohuar se në momentin kur e kishte dërguar të akuzuarin Badalli afër shtëpisë kishte parë veturën e Policisë.

Gashi, ndër të tjera ka thënë se veturën që kishte marrë me qira ishte frikësuar ta kthejë për shkak të ndonjë hakmarrjeje.

Ai ka treguar se, në seancë nga deklarimet e palës së dëmtuar ka kuptuar se eksplozivi kishte qenë në katin e dytë, në shtëpinë e të akuzuarit Badalli.

Ndryshe, prezentë në këtë seancë nuk ishte i dëmtuari Artur Mrasori. Po ashtu prezentë nuk ishte përfaqësuesi i të dëmtuarit Mrasori, avokati Besnik Berisha, për të cilin gjykatësja Skenderi tha me shkresë e ka njoftuar se për arsye shëndetësore familjare nuk mund të jetë prezent në seancën  sotme.

Gjykatësja Skenderi tha se seanca e radhës për këtë rast do të mbahet sipas ditarit të punës më 2 qershor 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës, dy të pandehurit Iran Badalli dhe Arben Gashi, në fillim të muajit janar 2020, në Prizren janë furnizuar me mjet eksplodues nga i akuzuari Valbon Çollaku, e pastaj të njëjtin e kanë fshehur në krevatin e fëmijëve ne dhomën e katit të II të shtëpisë të të akuzuarit Iran Badalli në fshatin Zhur, Komuna e Prizrenit dhe pas një kontrolli të autorizuar të kësaj shtëpie nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, më 28 janar 2020, rreth orës 20:00, në kontakt me këtë mjet, i njëjti ka eksploduar, ku ka gjetur vdekjen zyrtari policor S.Th, kurse policët tjerë të Njësitit gjegjës – të dëmtuarit Artur Mrasori, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Byrtyqi si dhe fëmija S.B., kanë pësuar lëndime të rënda trupore.

Me këto veprime, sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, paragrafi 5, 4 dhe 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, në dispozitivit II të aktakuzës, thuhet se në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar përafërsisht si në pikën I të dispozitivit të aktakuzës, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, përveç eksplozivit të lartcekur të shpërthyer, kanë pasur të fshehur edhe eksplozivin e mbetur TNT me peshë prej 809.1 gr dhe një detonator mekanik, në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi 63 cm.

Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi 

 Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.