25-11-2024

Prizren: Ç’solli gjykimi për zgjedhjen e “kundërligjshme” të drejtoreshës së Spitalit?

Gjykata Themelore në Prizren, e ka refuzuar padinë në rastin ku paditësi L.G, pretendonte se SHSKUK ka përzgjedhur kundërligjshëm drejtoreshën e Spitalit “Daut Mustafa” në Prizren.

Në aktgjykimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se kërkesëpadia e paditësit L.G është refuzuar në tërësi si e pabazuar.

“Refuzohet në tërësi si e pabazuar kërkesëpadia e paditësit L.G nga Prizreni, me të cilën ka kërkuar që të “Anulohet konkursi publik për pozitën drejtor i Spitalit të Përgjithshëm “Primarius dr. Daut Mustafa” në kuadër të SHSKUK-së, si i kundërligjshëm”, thuhet në aktgjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në arsyetimin e aktgjykimit thuhet se, gjykata me vlerësimin e pretendimeve të palëve ndërgjygjëse dhe provave të nxjerra, me kujdes ka çmuar secilën provë veç e veç dhe ka gjetur se kërkesëpadia e paditësit është e pabazuar.

Sipas aktgjykimit, komisioni përzgjedhës e ka bërë në mënyrë të drejtë zgjedhjen e kandidatëve, pasi që në rastin konkret kandidati që i ka plotësuar kushtet më së miri ka qenë N.A-H, e cila në total ka mbledhur 81.6 pikë, kundrejt paditësit i cili ka mbledhur 75 pikë.

Tutje, në aktgjykim thuhet se, pretendimet e paditësit se e përzgjedhura në pozitën e drejtorit N.A-H nuk e plotëson kriterin pasi që nuk ishte e punësuar brenda SHSKUK-së janë të pabazuara, për faktin se sipas nenit 62 paragraf 6 të Ligjit për Shëndetësi, nuk paraqitet pengesë fakti se e përzgjedhura nuk ka qenë në marrëdhënie pune më herët në SHSKUK.

Sipas aktgjykimit, secila palë bart shpenzimet e veta, konform nenit 450 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (LPK).

Ndryshe, me padinë e parashtruar më 29 qershor 2022, paditësi L.G, ka kërkuar anulimin e konkursit publik të shpallur nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

Në padi thuhet se, e paditura ka shpallur konkursin publik me numër protokoli 674 të datës 07 mars 2022 për pozitën Drejtorë i Spitalit të Përgjithshëm “Primarius Dr.Daut Mustafa” në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitarë i Kosovës (SHSKUK). Pas procedurës së konkurimit me njoftimin me numër protokoli 1518 të datës 01 qershor 2022 për pozitën drejtor është përzgjedhur kandidatja N.A. – H.

Sipas padisë, në rastin konkret e përzgjedhura nga komisioni përzgjedhës si kandidatë fitues N.A.-H. nuk ka plotësuar këtë kriter ngase nuk ka punuar në kuadër të SHSKUK-së por ka punuar në sektorin privat si stomatologe, andai në këtë drejtim vendimi i komisionit përzgjedhës është i kundërligjshëm.

Tutje, në padi thuhet se, paditësi i cili ka konkurruar në këtë konkurs i plotëson të gjitha këto kushte, të cilat fakte vërtetohen nga kontrata e punës, ku i njëjti ka qenë kryeshef i sektorit për monitorim dhe vlerësim të cilësisë së punës në SHSKUK.

Në fund, padia thotë se kandidati i vlerësuar nga komisioni i pranimit duhet të kaloj pragun minimal të 70% të pikëve të përgjithshme të vlerësimit, që në rastin konkret paditësi ka kaluar këtë prag pasi që ka pasur 75 pikë mirëpo edhe përkundër faktit se paditësi ka plotësuar kriteret e përgjithshme dhe ato të posaçme nuk dihet se cili ka qenë vlerësimi profesional i komisionit që përfshinë vlerësimin e njohurive, aftësive dhe cilësive profesionale të kandidatëve siç parashihet në nenin 40 par.5, pika 5.2 të ligjit për zyrtar publik./BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.