Prizren: Ç’solli sot gjykimi ndaj ish-drejtorëve për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale
Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën, ish- drejtori i Gjeodezisë dhe Kadastrës në Prizren, i akuzuari Refik Shaqiri ka thënë se komisioni për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit për të gjitha veprimet e tij procedurale është këshilluar dhe udhëzuar me juristë.
Të akuzuarit Levent Kasemi ish- drejtor i Shërbimeve Publike, Fejzë Kabashi ish- drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Refik Shaqiri ish-drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Prizrenit, ish-asamblistja e Kuvendit Komunal të Prizrenit, Ganimete Babuna, si dhe drejtori i Fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta, po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare.
“Aty kanë qenë përfaqësuesit e komunës, juristët Isa Osmankaj, shef i zyrës i prokurimit dhe Rrahim Alija ka qenë shef i zyrës për të drejtat pronësore së shërbimit pronësoro-juridike… të dy juristët kanë dhënë këshilla dhe na kanë udhëzuar për veprimet procedurale gjatë mbajtjes së mbledhjeve nga ana e komisionit, këta dy këshilltar gjatë tërë kohës së punës së komisionit kanë qenë prezent dhe kanë dhënë këshilla të tilla që mos të bëjnë shkelje të ligjit”, ka thënë Shaqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokat Ardian Morina, Shaqiri ka thënë se shumë kritere të propozuara nga ana e komisionit nga këta dy këshilltar janë refuzuar me arsyetimin se këto kritere nuk kanë qenë në pajtim me ligjin.
Shaqiri ka treguar se si komison kanë vendosur kritere shtesë dhe se kriterin për të favorizuar gjininë femërore si konkurrente e kanë shtuar me arsyetimin se qëndrimi i organeve shtetërore dhe rregulloreve në fuqi, organizatave joqeveritare, gjinia femërore ka përparësi me qëllim që të afirmohen.
Tutje, ai ka thënë se nuk e ka njohur asnjëherë fituesen e ankandit publik, mirëpo të dëmtuarin Albert Doqin e ka parë për herë të parë në këtë gjykim.
Shaqiri ka thënë se nuk ka qenë asnjëherë anëtarë i partisë politike Vetëvendosje, por ka qenë dhe është ende anëtarë i partisë boshnjake “NDS”.
Ndërsa, në përgjigjet e pyetjeve të prokurorit Metush Biraj, Shaqiri ka thënë se si anëtarë i komisionit gjithmonë është konsultuar me juristët pasi që me profesion ishte mjek dhe nuk kishte njohuri në aspektin juridik.
Gjithashtu, ai tha se nuk ka poseduar ligjet dhe rregulloret në të cilat është bazuar komisioni pasi që këtë gjë ia ka besuar juristëve të diplomuar.
Në përgjigjet e pyetjeve të kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Teuta Krusha, Shaqiri ka thënë se fituesi i ankandit është zgjedhur në bazë të numrit më të madh të pikëve dhe se kështu kanë vepruar edhe me lokalin numër 29 e që është objekt i akuzës.
Ai ka thënë se ka pasur ankesë sa i përket lokalit numër 29 dhe se sipas udhëzimeve të organit të shkallës së dytë e që edhe në rivlerësimin e çështjes kanë vendosur njëjtë.
Pas kësaj, mbrojtjen e tij e ka dhënë edhe i akuzuari Ares Shporta i cili duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokat Vigan Rogova ka thënë se në komision ka pasur pozitën e anëtarit të komisionit caktuar nga shoqëria civile.
Shporta ka thënë se gjatë takimeve të komisionit kanë marrë pjesë zyrtarë civil nga drejtoria e pronës dhe nga zyra e prokurimit për t’i udhëzuar në çështje procedurale.
I njëjti në përgjigjet e pyetjeve të prokurorit Biraj, ka thënë se gjatë punës së tij ka pasur në shfrytëzim ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme dhe rregulloren QRK me numër 23/13.
Po ashtu, Shporta ka thënë se gjatë caktimit të kritereve të ankandit nuk ka qenë prezent.
Në përgjigjet e pyetjeve të dëmtuarit Doqi, Shporta ka thënë se vlerësimin e kanë bërë në bazë të kritereve pikëve të caktuara për secilin kriter e që në bazë të tyre është nxjerr shuma totale për secilin aplikim.
Shporta ka deklaruar se ka pasur rast që fituesi përkundër ofrimit të vlerës më të ulët financiare në emër të qirasë, përmes vlerësimit kumulativ të pikëve ka fituar të drejtën e shfrytëzimit të një prone tjetër të Komunës.
Ai ka thënë se nga Kuvendi Komunal i Prizrenit e ka votuar dhe se kështu është bërë anëtarë i komisionit.
Në fund, Shporta ka thënë se komisioni për ankesa ia ka adresuar një kërkesë për rishqyrtim dhe se për këtë si komision nuk e kanë parë të arsyeshme ndryshimin e vendimit të shkallës së parë.
Seancat e radhës janë caktuar të mbahen më 3 dhe 10 mars 2023.
Ndryshe, të akuzuarit Levent Kasemi ish- drejtor i Shërbimeve Publike, Fejzë Kabashi ish- drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Refik Shaqiri ish-drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Prizrenit, ish-asamblistja e Kuvendit Komunal të Prizrenit, Ganimete Babuna, si dhe drejtori i Fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta, po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2019 nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, të pandehurit Levent Kasemi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri, Ares Shporta dhe Ganimete Babuna akuzohen se më 18 mars 2019, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.
Siç thuhet në aktakuzë, duke qenë pjesë e komisionit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në bashkëkryerje, me dashje kanë shkelur kriterin e vetëm të Ankandit Publik, gjegjësisht nenin 5, paragrafi 3 të ligjit nr.04/L-144, ku theksohet se procedura për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale bëhet përmes Ankandit Publik, dhe akteve nënligjore, dhe se përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar.
Në aktakuzë thuhet se duke vepruar në këtë mënyrë, të njëjtit kanë shkelur të drejtat e të dëmtuarit Albert Doqi, duke përzgjedhur si shfrytëzuese ofertuesen Fatmire Berisha, përkundër faktit se i dëmtuari Doqi kishte kuptuar çmimin më të lartë, gjegjësisht shumën 25 euro e 20 centë për m2, për lokalin nr.29, i cili gjendet në sheshin “Shatërvan”, por i njëjti lokal i është dhënë në shfrytëzim ofertueses Berisha, me çmim prej 20 euro e 6 centë për m2.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja Fatmire Berisha nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale në Prizren, të njëjtën e ka poentuar me pikë maksimale.
Sipas aktakuzës, më pas komisioni për ankesa pranë Kuvendit Komunal në Prizren, e kishte aprovuar kërkesën e palës së dëmtuar, ku më 28 shkurt 2019 ka anuluar vendimin e këtij komisioni duke e dërguar çështjen në rishqyrtim, por përkundër këtij fakti, komisioni përmes njoftimit të datës 1 prill 2019 ka potencuar se qëndrojnë pranë njoftimit të datës 17 janar 2019, ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve-pronë komunale.
Për këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, pika 2.6, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi
shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.