25-11-2024

Prizren: Deklarohet i pafajshëm ish-inspektori i sanitarisë, akuzohet për keqpërdorim të informatës zyrtare

Në Gjykatën Themelore në Prizren, ish- inspektori i sanitarisë në Prizren, Albrim Poniku, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për keqpërdorim të informatës zyrtare.

“Jo nuk e pranoj, unë plotësisht e ndjej veten të pafajshëm, nuk e pranoj fajësinë”, ka thënë Poniku.

Këtë deklarim, Poniku e ka bërë dje, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Nazan Shero, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 31 janar 2023.

Sipas aktakuzës, Poniku në cilësi të inspektorit të Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë, në momentin kur kupton se janë duke shkuar të bëjnë inspektimin e market dhe qebaptoren “Vrrini”, e cila gjendet në afërsi të fshatit Vlashne, lidhur me respektimin e orareve të punës në situatë të pandemisë COVID-19 të përcaktuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, njofton punëtorin e këtij marketi, informatë në të cilën është qasur si rezultat i detyrës së inspektorit, e cila informatë nuk ka qenë publike.

Tutje, sipas aktakuzës i akuzuari Poniku nga telefoni i tij i dërgon Besart Bytyqit punëtor në market “Vrrini” një SMS, me përmbajtje “ej mshile se po vina ka ti” me ç’rast market “Vrrini” përfiton përparësi për mos t’u gjobitur për shkak të mosrespektimit të vendimit të Qeverisë.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i informatës zyrtare” nga neni 416, par.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.