23-11-2024

Prizren: Deklarohet i pafajshëm polici që akuzohet se lejoi punëtorë të Ambasadës së Kuvajtit në Shqipëri të hynin në Kosovë pa dokumentacion

Në seancën fillestare të mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Mehdi Sefa, i akuzuari ka thënë se nuk e ndien veten fajtor për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi që i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësja Ajser Skenderi, seancën e shqyrtimit të dytë e ka caktuar për 30 dhjetor 2019, në ora 09:30.

Me aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 29 tetor 2019, Avni Ajdini akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se më 5 qershor 2019, rreth orës 12:53, në pikën kufitare të Vërmicës, si zyrtar policor, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka lejuar veturën e markës “Opel Zafira”, e cila drejtohej nga Enkeled Cala, së bashku me persona të huaj, punëtorë teknik të Ambasadës së Kuvajtit në Shqipëri të hyjë në Republikën e Kosovës në kundërshtim me procedurat kufitare.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Ajdini u ka mundësuar këtyre personave të hyjnë në Republikën e Kosovës pa dokumentacion adekuat të udhëtimit, pa pasaportë dhe pa vizë, duke mos kryer kontrollin kufitar dhe duke mos bërë verifikimin e tyre sipas ligjeve të Kosovës.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.