26-11-2024

Prizren: Dënim me burgim dhe me gjobë ndaj zyrtarit doganor pasi pranoi se mori 20 euro ryshfet

Zyrtari doganor Petrit Xërxa është dënuar me 6 muaj burgim dhe 500 euro gjobë pasi ka pranuar fajësinë marrje ryshfeti. Por, më pas dënimi me burg iu zëvendësua me 2 mijë euro gjobë.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prizren nga kryetarja e trupit gjykues Teuta Krusha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, gjatë shqyrtimin fillestar, i akuzuari Xërxa pas konsultimit me mbrojtësin e tij, avokatin Visar Haxhibeqiri, pranoi fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohej, e këtë pranim fajësie nuk e kundërshtoi as prokurori Genc Nixha.

Fillimisht, gjykatësja Krusha, të akuzuarit i shqiptoi dënim me gjashtë muaj burgim dhe 500 euro gjobë, për veprën penale “Marrje ryshfeti”.

Por, me kërkesën e mbrojtësit Visar Haxhibeqiri dhe me pëlqimin e të akuzuarit, dënimi me burgim prej gjashtë muajve, i është zëvendësuar në dënim me gjobë në lartësi prej 2 mijë euro.

Në këtë denim, të akuzuarit i është zbritur edhe koha e kaluar nën masën e arrestit shtëpiak nga 17 shtator 2021 deri më 15 tetor 2021, ashtu që pjesa e dënimit prej 1 mijë e 420 euro duhet të paguhet në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

I akuzuari gjithashtu u obligua që t’i paguajë 30 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro në emër të programit për kompensimin e viktimave të krimit.

Po ashtu, gjykata vendosi që të konfiskohet edhe kartëmonedha prej 20 euro, si mjet i kryerjes së veprës penale, e cila do të derdhet në buxhetin e Republikës së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda më 24 nëntor 2021 ka ngritur aktakuzë kundër Petrit Xërxës – person zyrtar, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”

Sipas aktakuzës, i pandehuri Xërxa, më 16 shtator 2021, në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, në cilësinë e personit zyrtar- Doganier i Doganave të Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkon dhe pranon përfitim pasuror për vete, në mënyrë që i njejti të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.

Aktakuza thotë se qytetari V.K., me rastin e kalimit në pikën doganore duke drejtuar automjetin e tij, me t’u ndaluar nga ana e të pandehurit është pyetur nëse ka ndonjë mall për ta doganuar, i cili ka deklaruar se në bagazhin e veturës së tij ka dy auto-pjesë të përdorura, për të cilat i pandehuri ia ka kumtuar shumën e taksës doganore për të cilat dëshmitari detyrohej ta paguante.

Mirëpo, i njëjti  thuhet se shfrytëzon rastin dhe kërkon privatisht nga dëshmitari shumën prej 50 euro, në mënyrë që ky i fundit të mos i nënshtrohej taksës doganore, derisa dëshmitari paraprakisht ka raportuar rastin tek Autoriteti i Hetuesisë Doganore dhe pajtohet që t’ia japë të pandehurit shumën prej 20 eruro, ashtu që i pandehuri pranon paratë në fjalë dhe e liron dëshmitarin.

Me këto veprime, Xërca ngarkohej se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 1, të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.