Prizren: Dënohet analisti i kredive, pranoi se mori kredi në emër të personit tjetër
Gjykata Themelore në Prizren, të mërkurën, e ka dënuar me pesë muaj burg analistin e kredive në institucionin mikrofinanciar “KGMAMF”, në Prizren, Afrim Hoti, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Por, që dënimi me burgim me pëlqimin e të akuzuarit, i është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumën prej 1100 euro.
Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësja Raima Elezi, pasi që i akuzuari paraprakisht ka arritur marrëveshjen për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori i rastit, Metush Biraj, ka thënë se i akuzuari Hoti, pas konsultave me mbrojtësin e tij, avokatin Hajrip Krasniqi dhe pas negocimit ka lidhur marrëveshjen për pranimin e fajësisë, në mënyrë vullnetare dhe pa presion.
Ai ka thënë se me rastin e rekomandimit të dënimit, janë nisur nga fakti se i akuzuari ka pranuar fajësinë, andaj i ka propozuar gjykatës të vendos në bazë të marrëveshjes.
Ndërsa, përfaqësuesja e palës së dëmtuar, Argjira Ukimeri, avokatja Bahrije Besimi, ka thënë se i akuzuari dhe e dëmtuara kanë lidhur një marrëveshje paraprake interne, që i akuzuari të paguajë shumën e mbetur të kredisë deri më 31 tetor 2019, e cila marrëveshje është dorëzuar në Prokurori si provë, për arritjen e marrëveshjes për pranimin e fajësisë.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Hajrip Krasniqi, ka thënë se marrëveshja për pranimin e fajësisë, e lidhur mes palëve në procedurë, është bërë në formën e caktuar ligjore, por sipas tij, gjykatësi i çështjes me rastin e shqiptimit të dënimit të propozuar prej pesë muajsh burgim, me pëlqimin e të mbrojturit të tij, ta shndërrojë në dënim me gjobë.
Avokati Krasniqi, ka kërkuar nga gjykata që me rastin e shqiptimit të dënimit të ketë parasysh që i akuzuari, ka paguar shumën e kredisë në emër të të dëmtuarës, është familjar, baba i dy fëmijëve, andaj dënimin e shqiptuar me gjobë t’ia mundësojë që ta paguajë me këste.
Gjykatësja Raima Elezi, të akuzuarin e ka obliguar t’i paguajë shpenzimet procedurale dhe atë në emër të paushallit gjyqësor 100 euro, dhe shumën prej 50 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave.
Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 tetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Afrim Hoti, të cilin e ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Sipas aktakuzës, Hoti akuzohet se gjatë muajit mars 2019, në cilësinë e analistit të kredive në institucionin mikrofinanciar “KGMAMF”, me seli në Prizren, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për veten apo t’i shkaktojë dëm personit tjetër.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Hoti, duke mos e përmbushur detyrën e tij, plotëson aplikacionin e kredisë pa dijeninë e klientes së tij, të dëmtuarës Argjira Ukimeri dhe nënshkruan kontratën për marrjen e kredisë në shumën prej 2000 euro, në emër të saj.
Sipas aktakuzës, Hoti, këto mjete më pas i transferon në llogarinë bankare të të dëmtuarës Argjira Ukimeri, në bankën “BPB”, me seli në Prizren, duke i shkaktuar kësaj të fundit dëm material, e cila për këtë kredi kupton në muajin shtator të vitit 2019, kur edhe e paraqet rastin në polici.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi