24-11-2024

Prizren: Dënohet i akuzuari për mbajtje të armës pa leje, me të cilën nga pakujdesia e ka goditur vetën në këmbë

Gjykata Themelore në Prizren, të premten, ka shpallur aktgjykimin dënues ndaj të akuzuarit për armëmbajtje pa leje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, Leutrim Gashi.

Ndaj tij u shqiptua dënimi unik me gjobë në vlerë prej 1 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi u shpall nga gjykatësja Ajser Skenderi, pasi i akuzuari Gashi me mbrojtësin e tij, avokatin Rexhep Hasani, kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, Genc Nixha.

Marrëveshja në fjalë u aprovua nga gjykatësja Skenderi, e cila shqiptoi dënimin në bazë të rekomandimit nga ajo marrëveshje.

Kështu, Gashi u dënua me 500 euro gjobë për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe me 500 euro gjobë për veprën penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Sipas aktgjykimit, ai është i obliguar që gjobën ta paguajë me 12 këste mujore, ku pagesa për këstin e parë duhet të bëhet 15 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit dhe më pas do të vijohet për muajt në vazhdim.

Nëse i njëjti nuk dëshiron apo nuk mund ta paguajë gjobën, gjykata mund t’ia zëvendësoj dënimin me gjobë me dënim me burgim, ashtu që 20 euro gjobë do të llogariten me një ditë burgim.

I akuzuari obligohet që të paguaj  50 euro paushallin gjyqësorë dhe 50 euro për programin për kompensimin e viktimave të krimit, në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Po ashtu, në bazë të aktgjykimit, do të bëhet konfiskimi i armës të markës “Dreyse Rehhinische Metallëaren Machinefabrik ABT.SOMMERDA” dhe karikatorit me tre fishekë.

Leutrim Gashi akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prizren se, me 17 janar 2020, rreth orës 16:30, në fshatin Atmaxhë të Komunës së Prizrenit, posedon armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm për armët, në atë mënyrë që gjatë kontrollimit paraprak të kryer nga ana e patrullës policore në shtëpinë e tij, është gjetur një pistoletë e markës “Dreyse Rehhinische Metallëaren Machinefabrik ABT.SOMMERDA” dhe një karikator me tre fishekë, për të cilën i njëjti është deklaruar se ka qenë pistoletë e babit të tij të ndjerë.

Kurse sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, me datë kohë dhe vend të njëjtë, Gashi akuzohet se ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që kme rastin e pastrimit të pistoletës, nga pakujdesia shkrep me armën e lartcekur, duke e goditur veten në këmbën e majtë dhe duke rrezikuar persona të tjerë, të cilët kanë qenë në të njëjtën dhomë, në rastin konkret vëllain e tij, Flamur Gashi. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.