24-11-2024

Prizren: Dëshmitari thotë se këmbimi i pronës me Komunën, ka qenë në interes të dy palëve

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjten, në gjykimin ndaj zyrtarëve të Komunës së Prizrenit, Arben dhe Shqipron Krasniqi, të akuzuar për korrupsion, dëshmitari Isni Jemini ka thënë se këmbimi i pronës së objektit “Euro Center” me Komunën e Prizrenit, ka qenë në interes të dy palëve.

“Sa unë e di, në rastin konkret ka qenë një pjesë e pronës së Komunës së Prizrenit në formë trekëndëshi dhe ne kemi kërkuar që ta rregullojmë vetëm formën dhe të bëhet një pjesë katrore në interes të dy palëve”, ka thënë Jemini.

Duke u përgjigjur në pyetje të prokurores Ariana Shajkovci, dëshmitari Jemini ka thënë se qëndron në tërësi pranë deklaratës së dhënë pranë Prokurorisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Jemini tha se në pronën e këmbyer prej 90 metra katrorë me Komunën e Prizrenit, gjendet hyrja e objektit “Euro Center”.

Sipas tij, prona e komunës ka qenë në formë trekëndëshi afër objektit të “Euro Center” dhe se gjatë ndërtimit të tij, drejtori i kësaj kompanie ka bërë kërkesë në komunë për ndryshim të mexhës.

Jemini ka thënë se arsyeja për parashtrimin e kërkesës në gjykatë për rregullimin e mexhës është bërë me qëllim që në ardhmen të mos paraqitet ndonjë problem me komunën. Sipas tij, “Euro Center”, komunës i ka dhënë nga prona e saj 90 metra katrorë rreth rrugës në formë katrori, ndërsa ia ka marrë 90 metra katrorë në formë trekëndëshi.

Ai ka theksuar se me pronën të cilën ia kanë dhënë komunës, i është mundësuar të ketë qasje në rrugë.

Kurse, duke u përgjigjur në pyetje të mbrojtësit të të akuzuarit Arben Krasniqi, avokatit Driton Shehu, dëshmitari Jemini ka thënë se projektin e ndërtimit “Euro Center” do ta kishin realizuar edhe po të mos i kishin pasur 90 metra katrorë, me të cilat është bërë rregullimi i mexhave.

Seancat e radhës për këtë rast janë caktuar të mbahen më 6 dhe 7 prill 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, më 11 qershor 2020, të akuzuarit Arben Krasniqi dhe Shqipron Krasniqi po akuzohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, pasi që në procedurën jokontestimore të zhvilluar pranë Gjykatës Themelore në Prizren, në mënyrë të paligjshme kanë mundësuar këmbimin e pronës së Komunës së Prizrenit me pronën e propozuesit Vitmir Jemini.

Në aktakuzë thuhet se, Shqipron Krasniqi, në cilësi të përfaqësuesit ligjor të Komunës së Prizrenit, në procedurën jashtëkontestimore të zhvilluar, nuk e kundërshton propozimin e propozuesit të parashtruar për rregullimin e vijës kufitare të tokës (mexhës), në të cilën procedurë ai ka përfaqësuar Komunën e Prizrenit, e gjatë së cilës procedurë një pjesë e ngastrës kadastrale me numër 3036-4 ZK Prizren, me sipërfaqe prej 90 m2, pronë e Komunës së Prizrenit, këmbehet me një pjesë të ngastrës kadastrale nr. 3038-0, ZK Prizren, në sipërfaqe prej 90 m2, pronë e propozuesit Vitmir Jemini, e gjithë kjo në kundërshtim me Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, me Nr. 04/L-144.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Arben Krasniqi, në cilësi të udhëheqësit të Sektorit Ligjor pranë Kuvendit Komunal në Prizren dhe i pandehuri Shqipron Krasniqi, në cilësi të përfaqësuesit ligjor pranë Sektorit Ligjor të Komunës së Prizrenit, nuk parashtrojnë mjetin e rregullt juridik – ankesën, ndërsa pas përfundimit të kësaj lënde, propozuesi Vitmir Jemini, pajiset me leje ndërtimore, me numër 04-351/02-22873, të datës 1 mars 2019, të lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Prizren dhe me këtë këmbim të sipërfaqes prej 90 m2, i mundësohet ndërtimi i objektit – aneksit, ndërtesës banesore, të quajtur “Aneksi i Ri Euro Center”, që gjendet në rrugën “Adnan Krasniqi”, në Prizren.  

Me këtë, të akuzuarit po ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.