Prizren: Dështon gjykimi ndaj gjeodetëve për keqpërdorim të pozitës zyrtare
Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj të pandehurve Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj, të cilët po akuzohen se në cilësi të gjeodetëve kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Shkak për dështimin e kësaj seance ishte mungesa e të akuzuarës Luljeta Rizanaj dhe i dëmtuari Gjek Xhevelekaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në fillim të shqyrtimit gjyqësor, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha konstatoi se në këtë seancë, nuk janë prezent e akuzuara Luljeta Rizanaj, për të ciliën gjykata ka prova se e njëjta është ftuar në mënyrë të rregullt si dhe i dëmtuari Gjek Xhevelekaj, për të cilin tha se gjykata nuk ka prova se është ftuar në mënyrë të rregullt.
Për këtë, mbrojtësi i të akuzuarës Luljeta Rizanaj, avokati Gent Gjini deklaroi se e mbrojtura e tij nuk i është përgjigjur as përmes telefonit dhe pse sipas tij, e njëjta ka qenë e njoftuar për seancën e sotme, e për mos prezencën e saj i njëjti tha se nuk ka njohuri.
Në këto rrethana, prokurori Mehdi Sefa, deklaroi se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor.
Lidhur me këto rrethana, gjyqtarja Krusha njoftoi se shqyrtimi i sotëm nuk do të mbahet, ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet nesër me 10 mars 2021, në ora 10:00, e njëjta e ka obliguar mbrojtësin e të akuzuarës, avokatin Gent Gjini, që gjatë ditës ta njoftoj gjykatën për prezencën e të akuzuarës në seancën e nesërme.
Sipas aktit akuzues, i pandehuri Bajram Selmani, gjeodet i licencuar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetit e tij, në kundërshtim me kornizën e punës të Agjencionit Kadastral të Kosovës, për standardizimin e matjeve kadastrale, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vëllezërit Gjon dhe Mihill Gjevlekaj, nga fshati Karashëngjergj në Komunën e Prizrenit, duke shkelur të drejtat e personit tjetër, të dëmtuarit Gjek Gjevlekaj, në atë mënyrë që në cilësi të gjeodetit të licencuar ka bërë ndarjen e parcelave 488 dhe 518 ZK-Karashëngjergj pa lejen, dokumentin dhe kërkesën e njërit bashkëpronar Gjek Gjevlekaj, me ç ‘rast parashtron kërkesën dhe realizon regjistrimin me ndryshime të pronës në Kadastral-Map në kundërshtim me rregullativën ligjore.
Për të pandehurën Luljeta Rizanaj, në aktakuzë thuhet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, gjeodete në Drejtorinë për gjeodezi dhe kadastër, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkalon kompetencat e saj, ashtu që me qëllim shkel të drejtat e personit tjetër Gjek Gjevlekaj, duke vepruar në kundërshtim me rregullat ligjore.
Tutje, në aktakuzë thuhet se e pandehura Rizanaj si gjeodete bën regjistrimin me ndryshime të pronës së bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj në Kadastral-Map, në kundërshtim me rregullat ligjore.
Sipas aktakuzës, lënda edhe pse nuk ishte e kompletuar, pasi që mungonte dokumenti i identifikimit, kërkesa dhe i autorizuari i bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj, pa pëlqimin e tij, e pandehura Luljeta Rizanaj bënë ndarjen e parcelave me aktvendimin 07-942/05-176194/T, më 12 shkurt 2018.
Me këto veprime, sipas aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Prizren, të pandehurit Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi