Ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor, i paraparë për të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Prizren, Nexhmedin Musliu, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ka qenë mungesa e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Xheladin Osmani, i cili gjendet në pushim mjekësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësja Ajser Skenderi, ka thënë se nuk plotësohen kushtet ligjore për mbajtjen e kësaj seance ndërsa, seancën e radhës e ka caktuar më 14 janar 2020, në ora 10:00.
Ndryshe, me aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 19 prill 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu, akuzohet se në periudhën kohore 2016-2017, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk ndërmerr konkluzion për rrënimin e katit të 8 të kompleksit ndërtimor “Kastrati Comerc”, me pronar Nazmi Kastrati, i cili kishte leje ndërtimi për P+B+7 dhe ka ndërtuar një kat pa leje, në lagjen “Jeta e Re”.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, ka mundësuar ndërtimin e tre kateve pa leje të firmës “Coneng”, me pronar Skender Vata, e që kishte leje për dy kate P+B+2.
I akuzuari Musliu, është i përfshirë edhe në disa raste të tjera në procese gjyqësore që kanë të bëjë me veprën e njëjtë penale. /BetimipërDrejtësi