25-11-2024

Prizren: Dështon gjykimi për rrëmbimin e shtetasit turk

Mungesa e të dëmtuarit R.A dhe mospajisja me shkresa të lëndës të përfaqësuesit të tij sipas detyrës zyrtare ka bërë që të dështojë seanca e së martës ndaj të akuzuarit Blerim Berisha, i cili ngarkohet se në bashkëkryerje ka rrëmbyer një shtetas turk.

Prokurori i shtetit, Mehdi Sefa deklaroi se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës pasi që në sallë nuk paraqitet i dëmtuari R.A edhe pse është prezent përfaqësuesi i të dëmtuarit, avokat Syl Hoxha sipas detyrës zyrtare.

Kjo pasi që vazhdimi i seancës në Gjykatën Themelore në Prizren pa prezencën e të dëmtuarit është në kundërshtim me dispozitat e nenit 277 paragraf 1 të Kodit të Procedurës Penale.

Ndërsa përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokat Sylë Hoxha deklaroi se nuk është pajisur me shkresat e lëndës dhe se në këtë moment nuk mund ta përfaqësojë palën e dëmtuar konform dispozitave ligjore.

Mbrojtësi i të akuzuarit Blerim Berisha, avokat Avni Berisha deklaroi se sot Prokurori i çështjes është dashur ta sigurojë emrin e ekspertit i cili do të verifikojë hartografinë telefonike si dhe analizat e hyrje-daljeve lidhur me atë se a ka qenë i mbrojturi i tij i përfshirë në rastin konkret.

Ndërsa Prokurori i çështjes Mehdi Sefa deklaroi se Prokuroria pas ngritjes së aktakuzës nuk ka mundësi të ndërmarr veprime dhe hetime shtesë ashtu që kërkoi nga gjykata që të bëhet një ekspertizë e tillë nga një ekspert i  IT-së ku do të analizohet listingu i hyrjes daljeve telefonike  si dhe CD e listi ngut nga ana e Drejtorisë për Inteligjencë dhe analizë pranë Policisë së Kosovës.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi ka aprovuar propozimin e Prokurorit të Shtetit ashtu që do të lëshohet urdhëresë për hartografi, analizë telefonike pranë Telekomit të Kosovës për numrin e të akuzuarit Blerim Berisha si dhe urdhëresë për Drejtorinë për Intelegjencë dhe Analiza të Policisë së Kosovës për analiza telefonike, hyrje dalje dhe CD për numrin e të akuzuarit.

Pas kësaj, pasi që përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokat Sylë Hoxha nuk është i përgatitur që ta përfaqëson palën e dëmtuar në seancën e sotme, e njëjta seancë nuk është mbajtur dhe është caktuar për 10 Dhjetor 2021 në ora 09:00.

Ndryshe, në këtë rast akuzoheshin edhe Abdula Morina, Yusuf Morina dhe Lëndim Morina, por të njëjtit kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë më 23 tetor 2020.

Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren të datës 17.11.2020, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Abdula Morina dhe Yusur Morina janë dënuar me 20 muaj burgim në të cilën dënim i janë llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa i akuzuari tjetër Lendim Berisha është dënuar me 12 muaj burgim në të cilën po ashtu i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.

Ndërsa sipas informatave të siguruara nga prokurori Mehdi Sefa, Dibran Gashi i cili ka marrë pjesë në rrëmbim e shtetasit turk R.A, gjendet akoma në arrati.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 17 qershor 2020, Blerim Berisha akuzohet se më 17.09.2019 rreth orës 19:28-19:48 në Prizren, në bashkëkryerje me të akuzuarit Abdula Morina, Yusur Morina, Lëndim Morina dhe Dibran Gashi në marrëveshje paraprake kryejnë rrëmbimin e të dëmtuarit  R.A nga Stambolli-Turqi.

Siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari Abdulah Morina së bashku me vëllain e tij Yusuf Morina organizojnë rrëmbimin e R.A ashtu që Abdula Morina e merr të dëmtuarin R.A në veturën e tij duke e shoqëruar në parkun e qytetit ku ishte duke pritur i akuzuari Lëndim Berisha, Blerim Berisha dhe Dibran Gashi, të cilët së bashku në parkun e qytetit takohen me Abdula Morinën dhe pastaj me një automjet të cilin e drejtonte Dibran Gashi ku ishte edhe Lëndim Berisha, e marrin të dëmtuarin R.A dhe largohen nga parku duke dalë jashtë qytetit të Prizrenit duke pritur para automjetit të cilin e drejtonte Blerim Berisha.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Dibran Gashi dhe Lendim Berisha ndalen dhe zhvillojnë një bisedë në automjetin e Blerim Berishës të cilët kthehen dhe i lidhin këmbët dhe duart dhe duke mbajtur vazhdimisht armën në drejtim e të dëmtuarit R.A dhe pastaj e dërgojnë në fshatin Hoqë të qytetit e më pas nga vëllai i të dëmtuarit që gjendet në Turqi përmes telefonit i kërkojnë shumën prej 50.000 euro duke e kërcënuar se nëse nuk i dorëzon të hollat do ta vrasin të dëmtuari R.A dhe ashtu të lidhur e duke përdorur dhunë dhe nën kërcënimin e armës e mbajnë deri më datën 21.09.2019.

Për këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale të Rrëmbimit për të cilën vepër penale parashihet dënimi prej 3 deri në 12 vjet burgim /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.