24-11-2024

Prizren: Dështon seanca ndaj gjeodetëve të akuzuar për keqpërdorim të detyrës

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore e paraparë për të martën në Gjykatën Themelore në Prizren, ndaj gjeodetëve Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj të cilët po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Shkak i dështimit të seancës u bë mungesa e mbrojtësit të të akuzuarës Rizanaj, avokatit Gent Gjini. Po ashtu, në seancë mungoi edhe njëri nga dy mbrojtësit e të akuzuarit Selmani, avokati Blend Gjini. Kurse i pranishëm ishte mbrojtësi tjetër i Selmanit, avokati Hazër Susuri.

Gjithashtu, në seancë mungoi edhe dëshmitari Basri Begaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për të gjithë këta, gjyqtarja Teuta Krusha tha se janë ftuar në mënyrë të rregullt por mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar.

Lidhur me mungesën e mbrojtësit të saj, e akuzuara Rizanaj tha se do të kontaktojë me të, në mënyrë që seanca e paraparë për nesër të mbahet sipas planifikimeve.

Meqenëse në mungesë të avokatëve dhe dëshmitarit nuk plotësoheshin kushtet ligjore për mbajtjen e seancëskryetarja e trupit gjykues Teuta Krusha njoftoi se seanca e sotme nuk do të mbahet dhe se e njëjta do të vazhdoj nesër sipas orarit të paracaktuar.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, Bajram Selmani, gjeodet i licencuar, po akuzohet se ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetit e tij, në kundërshtim me kornizën e punës të Agjencionit Kadastral të Kosovës, për standardizimin e matjeve kadastrale, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vëllezërit Gjon dhe Mihill Gjevlekaj, nga fshati Karashëngjergj në Komunën e Prizrenit, duke shkelur të drejtat e personit tjetër, të dëmtuarit Gjek Gjevlekaj.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Selmani e ka bërë në atë mënyrë që në cilësi të gjeodetit të licencuar ka bërë ndarjen e parcelave 488 dhe 518 ZK-Karashëngjergj pa lejen, dokumentin dhe kërkesën e njërit bashkëpronar Gjek Gjevlekaj, me ç‘rast parashtron kërkesën dhe realizon regjistrimin me ndryshime të pronës në Kadastral-Map në kundërshtim me rregullativën ligjore.

Për të akuzuarën Luljeta Rizanaj, në aktakuzë thuhet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, gjeodete në Drejtorinë për gjeodezi dhe kadastër, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkalon kompetencat e saj, ashtu që me qëllim shkel të drejtat e personit tjetër Gjek Gjevlekaj, duke vepruar në kundërshtim me rregullat ligjore.

Tutje, në aktakuzë thuhet se e pandehura Rizanaj si gjeodete bën regjistrimin me ndryshime të pronës së bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj në Kadastral-Map, në kundërshtim me rregullat ligjore.

Sipas aktakuzës, lënda edhe pse nuk ishte e kompletuar, pasi që mungonte dokumenti i identifikimit, kërkesa dhe i autorizuari i bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj, pa pëlqimin e tij, e pandehura Luljeta Rizanaj bënë ndarjen e parcelave me aktvendimin 07-942/05-176194/T, më 12 shkurt 2018.

Me këto veprime, sipas aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Prizren, të pandehurit Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.