25-11-2024

Prizren: Dështon seanca përgatitore ku ish-polici e ka paditur Policinë e Kosovës

Të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ka dështuar seanca përgatitore për rastin ku ish-polici, Driton Bajrami e ka paditur Policinë e Kosovës, për ndërprerje të marrëdhënies së punës.

Shkak për dështimin e kësaj seance ishte mungesa e palës së paditur – Policia e Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Edije Sezairi theksoi se nuk është prezent pala e paditur, për të cilin gjykata ka prova se është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo e njëjta nuk e ka arsyetuar mos prezencën e saj për këtë seancë.

Lidhur me këtë, pala paditëse Driton Bajrami propozoi që seanca mos të vazhdoi pa prezencën e palës së paditur.

Në këto rrethana, gjykatësja Sezairi njoftoi se seanca e sotme nuk do të mbahet, e njëjta u shty për 03 mars 2021, në ora 10:00.

Sipas padisë të parashtruar nga paditësi Driton Bajrami, ish-zyrtar policor, më 13 tetor të vitit 2017, në Gjykatën Themelore në Prizren, thuhet se ndaj paditësit Bajrami është zbatuar masa e suspendimit për shkak të inicimit të procedurës penale.

Po ashtu, në padi thuhet se pas ngritjes së aktakuzës ndaj Driton Bajramit, në Gjykatën Themelore në Prizren, atij i është ndërprerë marrëdhënia e punës.

“Për kundër faktit se ndaj paditësit tani ekziston një aktakuzë për marrje të ryshfetit, gjithsesi rasti është në procedim e tutje dhe kjo çështje nuk ka përfunduar ende, me çfarëdo vendimit të plotfuqishëm me të cilën do të konfirmohej fajësia eventuale, rrethanë e cila është bazë për ndërprerje të marrëdhënies së punës”, thuhet në padi.

Lidhur me këtë, pala paditëse po kërkon nga gjykata që ta obligoj të paditurën, Policinë e Kosovës, Drejtorinë e Përgjithshme që paditësin Driton Bajrami ta kthej në vendin e punës në Prizren. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.