Levent Kasemi, është drejtor i Shërbimeve Publike, Fejz Kabashi i Drejtorisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, kurse Refki Shaqiri drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi. Ndërsa, Ares Shporta, drejtor i Fondacionit “Lumbardhi”, që ka qenë anëtar i komisionit nga shoqëria civile, derisa Ganimete Babuna është asambliste në Komunën e Prizrenit.
Ata akuzohen se si anëtarë të komisionit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në mënyrë të kundërligjshme kanë dhënë në shfrytëzim pronën komunale, që ndodhet në sheshin “Shatërvan”.
Shkak për mos mbajtjen e këtij gjykimi, ishte mungesa e të akuzuarit Ares Shporta, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me mungesën e të akuzuarit Shporta, mbrojtësi i tij, avokati Erdin Thana, tha se i mbrojturi i tij gjendet në Portugali për një program aftësimi profesional, i cili mbahet nga 1 dhjetori 2019 deri më 1 shkurt 2020, duke kërkuar që seanca e radhës të caktohet pas 2 shkurtit 2020.
Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Fejzë Kabashi, avokati Betim Kadolli, ka njoftuar gjykatësin Artan Sejrani, se i mbrojturi i tij, nuk do të jetë në Kosovë nga nesër deri me 15 shkurt 2020.
Ndërsa, avokati Blerim Mazreku, mbrojtës i të akuzuarit Levent Kasëmi, ka thënë se nuk i janë dorëzuar të gjitha provat, ku përveç shkresave materiale, sipas tij, mungojnë dëshmitë e të dëmtuarve, dëshmitarëve dhe të akuzuarve.
Pas kësaj kërkese, gjykatësi Artan Sejrani, e ka obliguar prokurorin e rastit që deri më 10 shkurt 2020, t’i pajisë të gjithë mbrojtësit dhe të akuzuarit me të gjitha shkresat e lëndës.
Gjykatësi Serjani, ka thënë se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e kësaj seance ndërsa, seancën e radhës e ka caktuar më 20 shkurt 2020, në ora 10:00.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit të ngritur më 29 nëntor 2019, të akuzuarit Kasëmi, Kabashi, Shaqiri, Shporta dhe Babuna, ngarkohen se më 18 mars 2019, nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.
Organi i akuzës, ata i ngarkon se duke qenë pjesë e komisionit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në bashkëkryerje me dashje kanë shkelur kriterin e vetëm të Ankandit Publik, gjegjësisht nenin 5, paragrafi 3 të ligjit nr.04/L-144, ku theksohet se procedura për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale bëhet përmes Ankandit Publik, dhe akteve nënligjore, ku theksohet se përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar.
Në aktakuzë thuhet se duke vepruar në këtë mënyrë, të njëjtit kanë shkelur të drejtat e të dëmtuarit Albert Doqi, duke përzgjedhur si shfrytëzuese ofertuesen Fatmire Berisha, përkundër faktit se i dëmtuari Doqi, kishte kuotuar çmimin më të lartë, gjegjësisht shumën 25.20 euro për m2, për lokalin nr.29, i cili gjendet në sheshin “Shatërvan”, por i njëjti lokali i është dhënë në shfrytëzim ofertueses Berisha, me çmim pre 20.06 euro për m2.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja Fatmire Berisha, nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale në Prizren, të njëjtën e ka poentuar me pikë maksimale.
Sipas aktakuzës, më pas komisioni për ankesa pranë Kuvendit Komunal në Prizren, e kishte aprovuar kërkesën e palës së dëmtuar, ku më 28 shkurt 2019, ka anuluar vendimin e këtij komisioni duke e dërguar çështjen në rishqyrtim, përkundër faktit të tillë, Komisioni përmes njoftimit të datës 1 prill 2019, ka potencuar se qëndrojnë pranë njoftimit të datës 17 janar 2019, ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve-pronë komunale.
Me këtë, sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, pika 2.6, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /Betimipërdrejtësi