Prizren: Dështon vazhdimi i gjykimit për korrupsion ndaj deputetes Jetmire Vrenezi dhe të tjerëve
Ka dështuar të vazhdojë gjykimi për rastin ku tashmë deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jetmire Vrenezi, së bashku me Islam Thaqin, Egzonë Morina-Thaqin, Arian Tarakun, Isë Bislimajn dhe Shqipëron Krasniqin, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Shkak i mosmbajtjes së seancës të paraparë për të enjten ishte mungesa e mbrojtësit të të akuzuarës Vrezeni, avokatit Ardian Morina, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me mungesën e tij, mbrojtësi i të akuzuarit Islam Thaqi, avokati Blerim Mazreku e njoftoi gjykatën se kolegu i tij nuk mund të jetë prezent në sallë të gjykimit për shkaqe shëndetësore.
Në këto rrethana, e akuzuara Vrenezi deklaroi se nuk dëshiron të vazhdojë shqyrtimi gjyqësor pa praninë e mbrojtësit të saj.
Prezent në seancën e së enjtes nuk ishte as avokati Bestar Kolgeci, për të cilin klienti i tij, i akuzuari Shqipron Krasniqi tha se do të paraqitet në ndërkohë.
Kurse, prezent në sallë ishte edhe eksperti i ndërtimtarisë, Liman Mustafa.
Megjithatë, në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, gjykatësja Kymete Kicaj i ka caktuar ato të radhës për 3, 7 dhe 8 qershor, nga ora 9:30.
Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqit, Jetmire Vrenezit, Egzonë Morina-Thaqit, Arian Tarakut dhe Isë Bislimajt, për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Në aktakuzë, thuhet se me 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi inspektore të ndërtimtaris, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj zyrtarë në drejtorin e Inspektoratit si dhe Shqipëron Krasniqi përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, në cilësinë e personave zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtarë i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” SHPK në Prizren.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks objektit të “Abi Çarshija”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim, të njëjtit veprojnë në kundërshtim me ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nr. A-213/18 dhe A-179/19 me të cilat janë anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.
Sipas Prokurorisë këto vendime obligojnë organet Komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi me ç’rast gjatë rrënimit të aneksit të “Abi Çarshija”, “Abi” SHPK, në Prizren i shkaktojnë dëm në shumën prej 69,729.66 euro.
Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi