Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje lidhur me aksionin kundër fajdesë në Prizren, i cili rezultoi me arrestimin e të dyshuarit 28 vjeçarit, E.K.
Arrestimi i të dyshuarit erdhi gjatë një kontrolli të realizuar të enjten në regjionin e Prizrenit, pas një hetimi disamujor në bashkëpunim me Njësinë Rajonale të Policisë në Prizren – Drejtorinë për Krim të Organizuar.
Referuar informacioneve, bëhët fjalë për të dyshuarin E. Krasniqi, derisa në njoftimin e PTH, thuhet se ai dyshohet se në bashkëveprim edhe me persona tjerë, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës, i japin para në formë të borxhit me fajde.
“I pandehuri E.K., që nga koha e pavërtetuar dhe në vazhdimësi – deri në muajin Mars të këtij viti, në Prizren, në bashkëveprim edhe me persona të tjerë, për vete pranojnë dhe kontraktojnë shuma dukshëm jo-proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të personit të tillë, varfërinë dhe papërvojën e tij, në atë mënyrë që i japin viktimës para (të holla) në formë të borxhit me kamata të paligjshme (fajde), të cilat kamata vazhdojnë t’ia rrisin pandërprerë sa herë që viktima has në vonesa të kthimit të parave”, thuhet në njoftim.
Bazuar në dosjen e Prokurorisë, i dyshuari dhe personat e tjerë me të cilët ka bashkëvepruar, në këmbim të borxhit, i kanë dhënë viktimës para me kamata që kapin shumën mbi 100 mijë euro.
“Që nga koha e pavërtetuar dhe në vazhdimësi – deri në muajin mars të këtij viti, në Prizren, “në bashkëveprim edhe me persona të tjerë, për vete pranojnë dhe kontraktojnë shuma dukshëm jo-proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të personit të tillë, varfërinë dhe papërvojën e tij, në atë mënyrë që i japin viktimës para (të holla) në formë të borxhit me kamata të paligjshme (fajde), të cilat kamata vazhdojnë t’ia rrisin pandërprerë sa herë që viktima has në vonesa të kthimit të parave, me ç’rast secili nga të pandehurit në koordinim me njëri – tjetrin, e kontaktojnë rregullisht viktimën në telefon herë duke ia kërkuar paratë e herë duke i ofruar mundësi për të marrë sërish para me kamata të paligjshme duke i shkaktuar deri më tani dëme financiare mbi 100,000.00 € (Njëqind mijë euro), përkundër faktit se i njejti është detyruar të marrë një kredi në shumën prej 150,000.00 € (Njëqind e pesëdhjetë mijë euro)”.

“…megjithatë as ajo nuk i ka mjaftuar që t’i kompensojë të pandehurit për paratë e marra me anë të kamatës së kundërligjshme – fajdes, me ç’rast pas ekzekutimit të urdhër kontrollit në shtëpinë edhe objektet përcjellëse të të pandehurit E.K, policia ka arritur të sekuestrojë të holla në shumën prej 8,935.00 € (Tetëmijë e nëntëqind e tridhjetë e pesë euro); 580.00 CH (Pesëqind e tetëdhjetë franga zvicerane); 1,000.00 $ (Njëmijë dollarë amerikanë) dhe 17,700.00 Lekë shqiptare si dhe një automjet të markës ‘’AUDI’’, për të cilat ekziston dyshimi i bazuar se janë dobi pasurore e fituar me kryerjen e veprës penale.”
Brenda afatit ligjor, ndaj të dyshuarit, Prokuroria do të parashtrojë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.